Published On: Enj, Nën 16th, 2017

Permbytjet në Greqi, 100 familje shqiptare të prekura

Qeveria greke ka shpallur zi kombëtare tre-ditore pas përmbytjeve masive që prekën vendin, duke shkaktuar 16 të vdekur. Nderkohe, mediat greke raportojnë se autoritetet kanë urdhëruar që të kryhen hetime për situatën e krijuar.

Moti i keq dhe përmbytjet gati apokaliptike përveç 16 viktimave, shkaktoi plagosjen e 21 të tjerëve, ndërsa qindra shtëpi dhe dyqane u dëmtuan. Situata paraqitet problematike në Athinë dhe Mandra, një zonë e populluar vetëm 27 kilometra larg kryeqytetit helen. Mësohet se në Mandra jetojnë 600 familje shqiptare, ku 100 prej tyre janë prekur nga përmbytjet. Ndërkohë, në Perama janë 430 familje shqiptare.

Pjesa më e madhe e viktimave janë persona të moshës së tretë, të cilët fatkeqësisht nuk mundën të largoheshin nga banesat e tyre, duke humbur jetën. Niveli i lartë i ujërave të përmbytjeve detyroi banorët të braktisnin katet e para. Shumë prej tyre u ngjitën në tarracat e ndërtesave, për të kërkuar ndihmë.

Qytezat më të dëmtuara janë ato të Nea Peramos dhe Megara-s, në perëndim të kryeqytetit Athinë. Reshjet e dendura i shndërruan autostradat brenda pak minutash në lumenj të furishëm, që morën përpara vetura furgonë, e madje edhe kamionë të tonazhit të rëndë. Numërohet 500 shtëpi të dëmtuara dhe qindra makina.

Është një katastrofë natyrore, gjithçka është zhdukur, tha kryebashkiaku i qytezës së Mandra-s për mediat greke. Në disa lagje të rajonit historik të Atikës, ujërat e vrullshëm që sollën me vete llum e baltë arritën një nivel prej më shumë se 1.5 metrash.

Autoritetet greke angazhuan qindra forca e mjete të ekipeve të emergjencës për t’u ardhur në ndihmë banorëve në nevojë. Kryeministri grek Aleksis Cipras shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe mori menjëherë drejtimin e shtabeve të emergjencës për kontrollin nga afër të situatës.

Greqia dje shpalli gjendje të jashtëzakonshme në ishullin Simi, i cili u përfshi nga stuhia për shkak të së cilës ishte ndërprerë energjia elektrike dhe uji, shumë shtëpi janë vërshuar dhe një numër i madh i automjeteve kanë përfunduar në det.

Meta, ngushellime Pavlopoulos

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dërguar një letër, homologut të tij grek Prokopis Pavlopoulos, ku i shpreh ngushëllimet në emër të tij dhe të gjithë shqiptarëve, pas përmbytjeve në Greqi, ku kanë humbur jetën me dhjetëra persona.

Përmes kësaj letra Meta shpreh solidaritetin e popullit shqiptar ndaj atij grek, ndërsa u shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave.

Letra e plotë:

I nderuar Zoti President,

I tronditur dhe me trishtim të thellë kam ndjekur lajmet për viktimat, të zhdukurit, të lënduarit dhe dëmet e pallogaritshme materiale të shkaktuara nga moti i keq dhe përmbytjet që  goditën rrethinat e Athinës.

Me shpresën që mos të ketë viktima të tjera në zonat e përmbytura, më lejoni që përmes Jush, t’i shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave. Ju siguroj se, në këto momente të vështira e dëshpërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me qytetarët e prekur nga përmbytjet, me Ju dhe popullin mik grek.

Uroj kapërcim sa më të shpejtë të kësaj emergjence natyrore dhe kthim sa më parë në normalitet të jetës së qytetarëve të Athinës dhe të Greqisë.