Patozi paralajmëron: Nuk e kuptoni që “gjuetarit” i është lagur baruti? -Albpress Daily News
Published On: Sht, Nën 11th, 2017

Patozi paralajmëron: Nuk e kuptoni që “gjuetarit” i është lagur baruti?

Si një ish gazetar, Astrit Patozi i ka kushtuar pak rreshta debatit të këtyre ditëve që është ndarë në dy kampe, kryeministri dhe sulmet e tij të vazhdueshme ndaj medias, e më pas gazetarët, qytetarët, publicistët etj që kritkojnë ashpër këtë sjellje të Edi Ramës.

Por sipas ish deputetit demokrat, gazetarët dhe qytetarët shqiptarë duhet të jenë të kujdesshëm, sepse po bien pre e grackës së kryeministrit. Patozi shkruan se “gjuetarit” aktualisht i interesojnë betejat, edhe pse të vogla, ama mjaftojnë të jenë beteja. Kjo sipas ish deputetit bëhet më e kuptueshme kur e di që një gjuetar me “barut të lagur” si Rama ka nevojë për beteja të vogla… pikërisht nga ato ku nuk është e nevojshme arma e zjarrit (një referencë ironike që nënkupton frontin e “betejës” që ka hapur përfshirja e Saimir Tahirit për qeverinë, kanabizimi e kështu me rradhë).

NË ÇARKUN E GJUETARIT PA ÇIFTE

Ky debati i gjatë i raportit të Edi Ramës me shtypin ta shpif përtej faktit që gazetarët po i çon gati symbyllazi në çarkun, që u ka ngritur me kujdes gjuetari. Por atyre nuk mund t’u vesh shumë faj që reagojnë, qoftë edhe në mënyrë agresive apo të shpërpjestuar, se presupozohet të jenë të përfshirë emocionalisht prej ngacmimeve.

Ajo që bën përshtypje dhe e ke vështirë ta shpjegosh është fakti se, si ka mundësi që të tjerët nuk po e kuptojnë se gjuetarit i është lagur baruti i çiftes, ndaj edhe i duhen beteja më të vogla, se sa ato me armë zjarri. Të cilat nuk e ka fare problem edhe po t’i humbasë, ndonëse edhe kjo nuk është ngjarje e sigurt.

Sepse është e njohur botërisht që gjuetarët nuk mund të jenë asnjëherë gjah i lehtë. Dhe është po kaq e vërtetë se edhe ata që kanë lindur për të qenë pre’, nuk mund t’i kenë kurrë instiktet e gjuetarit.