Published On: Sht, Qer 30th, 2018

Pastrimi i parave, del raporti i BSH: 4 banka me rrezik të lartë

Banka e Shqipërisë ka ndryshuar rregulloren për parandalimin e pastrimit të parave për bankat, zyrat e këmbimit valutor, shoqëritë e kursimkreditit dhe unionet. Rregullorja e re ka nisur të zbatohet nga prilli i 2017- s.

Ndryshimet synojnë forcimin e rregullave, ku të gjitha këto subjekte financiare do të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë sipas standardeve ndërkombëtare, shoqëruar dhe me plotësimin e një pyetësori. Banka e Shqipërisë dje prezantoi në një takim me gazetarët raportin e mbikëqyrjes financiare për vitin 2017.

Banka e Shqipërisë, sipas metodologjisë së re, vlerësoi riskun për pastrimin e parave në 60 subjekte financiare, duke përfshirë bankat, subjektet financiare jo banka dhe shoqëritë e kursimkreditit. Referuar rezultateve të vlerësimit që jepen në raport, 20 subjekte janë vlerësuar me rrezik të lartë në pastrimin e parave, ku katër prej tyre janë banka, 18 subjekte financiare jobankare dhe 7 shoqëri të kursim-kredit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto subjekte janë vlerësuar automatikisht me rrezik të lartë për shkak të mosraportimit të transaksioneve. Po ashtu, me fokus parandalimin e pastrimit të parave u krye edhe vlerësimi i numrit dhe i vlerës së transfertave dalëse dhe hyrëse, si brenda dhe jashtë vendit, për 23 subjekte financiare. Në raport thuhet se nga vlerësimi i transfertave rezultoi se 4 banka shfaqën rrezik mesatarisht të lartë dhe 10 banka rezultuan me rrezik të lartë.

Në prezantimin e raportit të mbikëqyrjes financiare për vitin 2017, Banka e Shqipërisë tha se në funksion të parandalimit të pastrimit të parave ka nisur inspektimet pranë zyrave më të mëdha të këmbimit valutor. Të dhënat e raportit tregojnë se për vitin 2017 në vend janë mbyllur 41 zyra të këmbimit valutor.

Shkak i mbylljes së zyrave të këmbimit valutor ishte mospërmbushja e kushteve për zhvillimin e veprimtarisë. Banka Qendrore u shpreh se ndryshimet e rregullave nuk synojnë të jenë shumë shtrënguese për zyrat e këmbimit valutor, pasi kjo do të sillte rritjen e shkallës së informalitetit.

Ndërkohë, në vitin 2017 janë licencuar 39 zyra të reja të kursit të këmbimit valutor. “Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë, në kuadër të përmbushjes së funksionit licencues për zyrat e këmbimit valutor, konsiston në: licencimin e 39 zyrave të reja të këmbimit valutor; revokimin e licencës së 41 zyrave të këmbimit valutor, për shkak të ndërprerjes së veprimtarisë”, vlerësohet në raport. /PANORAMA/

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of