Pas raportit të Europol “Shqipëria, burim hashashi”, vjen Rai Uno me një reportazh për kanabisin shqiptar -Albpress Daily News
Published On: Mër, Dhj 20th, 2017

Pas raportit të Europol “Shqipëria, burim hashashi”, vjen Rai Uno me një reportazh për kanabisin shqiptar

Shpërndaj
Tags

“Shqipëria, burim hashashi”, me këtë titull u hap raporti i Europol, në të cilin u theksua se droga në Europë gjeneron 24 miliardë euro. Pas raportit të disa ditëve më parë, radhën e ka “Rai Uno”, i cili i kushtoi një reportazh të plotë fenomenit të kanabizmit. Mes rreshtave të parë të medias më të madhe Italiane, lexohet se këtë vit janë asgjësuar 2 milion bimë kanabis.

Në programin e përjavshëm “TV7” të “TGI”, një kronikë e posaçme ju dedikua asaj që gazetari italian Alessio Zuchini e quan “një luftë që zhvillohet deri në filizin e fundit të kanabisit”. “Përkrah forcave shqiptare qëndron edhe Guardia Di Finanzia, të cilët fluturojnë mbi territorin shqiptar, pjesë e aksionit monitorues”-raportohet në kronikë.

Kliko per me shume info
Më tej gjatë zhvillimit të reportazhit, gazetari e cilëson një sukses të policisë shqiptare, asgjësimin e mbi 2 milion bimëve të kanabisit vetëm në vitin 2017. Nuk ka munguar as zëri zyrtar i qeverisë. Në prononcimin për “TV7”, kryeministri Edi Rama deklaron se tashmë jemi në fazën e dytë të aksionit, duke i shkuar pas të gjithë të fortëve, për të sekuestruar pronat e tyre të paluajtshme dhe asetet financiare.

Rama jep edhe një përkufizim për bandat e kanabisit, duke i cilësuar si grup të sofistikuar dhe nuk që ka një Komision Europian që ti kontrollojë. “Ata kanë fuqi të madhe”,-thotë Rama. “Ata janë shumë të organizuar, ata nuk kanë burokraci, ata nuk kanë një “Komision Europian” që i kontrollon, që duhet të marrë vendime. Janë të shpejtë, të sofistikuar, kanë një fuqi të madhe mbi njerëzit e varfër, mbi njerëzit e margjinalizuar dhe ne duhet të luftojmë të gjithë së bashku”,-thotë Rama.

Kronika rikujton se trafikuesit e kanabisit nga Shqipëria kanë lidhje shumë të fuqishme nga ana tjetër e Adriatikut, për të cilët Kryeministri Rama shprehet: “Është le të themi një shkollë të cilën këta individë e kanë bërë në Itali, janë djem të rinj që kanë kaluar nga Italia, në zonën e jugut. Jeta e emigrimit illegal, i ka bërë që të mësojnë shumë gjëra dhe të jenë pjesë e grupeve kriminale si Ndragheta, Camorra dhe pastaj e kanë ndarë punën, një pjesë është andej, një pjesë këtej. Pjesa andej realizon lidhjet me bosët e mëdhenj, këta këtu bëjnë punën e pisët dhe e nisin andej. Le të themi që është një filial i universitetit të ilegalitetit në Italinë e Jugut”.

Në anë tjetër, Kryeministri siguron se qeveria e tij ka një fond të posaçëm që financon ndërhyrje policore të këtij lloji. Më tej gazetari sjell provat e suksesit të këtyre aksioneve. I shoqëruar nga Zëvendës Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, ai ka vizituar një magazinë në periferi të Tiranës ku policia e shtetit ruan sasitë e sekuestruara të substancave narkotike.