Pas raportit mbi zgjedhjet, Edi Rama: ministra teknikë, suksese në jetë -Albpress Daily News
Published On: Pre, Gus 18th, 2017

Pas raportit mbi zgjedhjet, Edi Rama: ministra teknikë, suksese në jetë

Raporti i ministrave teknikë mbi zgjedhjet e 25 qershorit ka sjellë reagiminb jo vetëm të kreut demokrat Lulzim Basha, por edhe Kryeministrit Edi Rama.

Përmes një deklarate të publikuar nga zyra e kryeministrit, raporti cilësohet si një dokument politik, krejt i njëanshem dhe aspak në nivelin e lartë profesional të zv.kryeministres teknike, si drejtuese e Task Forcës.

Deklaratë e Zyrës së Kryeministrit:

Duke i falenderuar ministrat teknikë të Partisë Demokratike për kontributin e dhënë dhe posaçërisht zv.kryeministren për rolin konstruktiv e për nivelin profesional në drejtimin e Task Forces për zgjedhjet, kryeministri Edi Rama shpreh keqardhjen për përmbylljen e kësaj eksperience pozitive me të ashtquajturin Material përmbledhës për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2017.

Raporti në fjalë fatkeqësisht kompromenton si një epilog krejt i pavend, gjithçka të mirë u ndërtua në funksion të zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë.

Ky raport është një dokument politik, krejt i njëanshem dhe aspak në nivelin e lartë profesional të zëvendëskryeministres teknike, si drejtuese e Task Forces në fjalë.

Sidoqofte, kryeministri i falenderon ministrat teknike për gjithçka të mirë bënë apo u përpoqën të benin gjatë mandatit të tyre të posaçëm.

Duke u shprehur mirekuptimin e tij të plotë, qoftë për disa gafa të bujshme e krejt të panevojshme pas zgjedhjeve në sektorin e arsimit, qoftë për mbytjen në fund fare në lugën e ujit të politikës, prej ku ka dalë edhe raporti i njëanshem, joteknik e joprofesional i Task Forces, kryeministri Edi Rama u uron zonjave e zoterinjve të dorëhequr shëndet e suksese të mëtejshme në jetë!