Published On: Mar, Qer 19th, 2018

Pas përplasjes në Komision/ Balla mbron Veliajn dhe akuzon PD:  Do shkarkojmë Vokshin…

Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, ka reahuar lidhur me atë çka ndodhi në Komisionin e Medias në Kuvendin e Shqipërisë, ku kryebashkiaku Erjon Veliaj nuk pranoi të linte sallën e mbledhjes, edhe pse iu kërkuar nga drejtuesja e këtij komisioni, Albana Vokshi.

Por Balla ka një tjetër këndvështrim, ndërsa mbron Veliaj, akuzon Vokshin se ka shpërdoruar detyrën. Madje Balla i ka bërë thirrje punonjësve të Gardës, që të padisin deputetët e opozitës, që sipas ligjvënësit socialist ushtruan dhunë.

“Sot konstatuam aktin e radhës së thyerjes së rregullores nga një person i propozuar nga PD-ja për të drejtuar Komisionin e Medias dhe Edukimit. Në mënyrë të përsëritur, Vokshi e ka kthyer këtë komision në një mjet personal. Dua të bëj publik dokumentin që 11 anëtarë të përhershëm kanë kërkuar praninë e Veliajt dhe Kumbaros. E falënderoj Veliajn që pranoi të merrte pjesë në Komision. Ka qenë kërkesë e 2/3 në Komision. Aktorët e SHQUP-it të pajisur me vezë. Klevis Balliu ishte armatosur me vezë në të gjithë xhepat e  mundshëm të pantallonave. Salianji dhe Noka donin të dhunonin punonjësit e Gardës. i bëj thirrje PD-së dhe kryetarit Lulzim Basha të frenojë deputetët e tij nga këto akte të dhunshme. Po konsiderojmë nenet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e Vokshit.

Të gjithë e dimë që kjo është një fjie bari e radhës për të treguar kush është më i paepuri në sytë e Saliut se këto janë skena që inspirohen nga Saliu jo nga Luli pulë.

Në rregullore s’ka nen të parashikuar për akte vandalizmi e dhunë jashtë sallës së seancave plenare. Unë do i kërkoja Gardës së Republikës që punonjësit e Gardës të dhunuar nga deputetët të kallëzohen penalisht se në fund të fundit taksapaguesit e pagujanë punonjësin e gardës të ruajë qetesine e s’ka të drejtë Noka e Salianji të godasë një djalë shqiptar që kryen një detyrë. Të vlerësojnë dëmet e infrastrukturës në foni që janë kryer nga vandalët e SHQUP-it.

Veliaj ka qenë i ftuar nga 2/3 e komisionit, zonja Vokshi ka shpërdoruar në mënyrë të padrejtë pozicionin e kryetarës së komisionit për të mos hedhur në votim propozimin e anëtarëve. PD po e përdor teatrin për interesat e tyre. Kishte hezitim dhe ndoshta frikë nga deputetet e PD që të gjendur pa asnjë argument tentuan të bllokojnë seancën dëgjimore”, tha Balla.