Published On: Enj, Gus 17th, 2017

Pas dorëheqjeve të ministrave teknikë, reagon Tritan Shehu/ Iu dha fund fantazive te veres…

Pas dorëheqjeve të ministrave teknikë nga qeveria Rama, ka ardhur edhe reagimi i parë nga selia e PD-së.

Tritan Shehu, deputeti i qarkut të Gjirokastrës, përmes një komenti në rrjetet sociale, shprehet se të gjithë ata që fabrikuan lajme për koalicione PD-PS të paktën duhet të heshtim.

Shehu thotë se PD dhe kreun i saj Lulzim Basha treguan se respektojnë institucionet dhe impenjimet, pavarësisht nëse pala tjetër e bën ose jo një gjë të tillë. Ndërsa i cilëson dorëheqjet si dinjitoze, deputeti demokrat thekson se PD do të jetë epiqendra e opozitës, në mbrojtje të shtetit ligjor dhe qytetarit të lirë.
Postimi i deputetit Tritan Shehu
Do largohen apo jo ministrat teknike të PD nga Qeveria, do të ketë koalicion PD-PS, apo ndonjë prej tyre do të vazhdoje në Qeverinë Rama 2!?
Ishin “fantazitë” e kësaj vere duke i shtuar edhe dilemën e fabrikuar për koalicionin PD-LSI!
Shumica e këtyre zërave “të shqetësuar”, veçse tentuan të përhapin një mjegull për PD, të krijojnë konfuzion me atë e brenda saj, apo ta kompleksojnë edhe për vendimet e së ardhmes.

Besoj se tashmë, mbas dorëheqjes formale dhe deklaratave dinjitoze të ministrave, ka ardhur koha që këta “orakuj” së paku të heshtin, për t’i lënë vendin të vërtetës dhe realitetit.

PD siç është deklaruar, do të jetë epiqendra e opozitës tonë, në mbrojtje të shtetit ligjor, qytetarit të lirë e vlerave Europiane e Perëndimore.

E gjithë ecuria e kësaj periudhe tregoi veçse se PD dhe Basha dinë të respektojnë institucionet, shtetin shqiptar (pavarësisht kush qeveris), impenjimet, edhe nëse pala tjetër nuk e bën këtë gjë, duke dhënë kështu një shembull përgjegjshmërie e transparence.

Kjo është një tjetër premisë për një opozitë të vërtetë, e domosdoshme kjo për vendin e rrugën e tij të integrimit, në këto momente shumë të vështira për atë e të ardhmen tonë, ndoshta edhe historike.