Published On: Mar, Dhj 26th, 2017

OST dhe KESH duan rritje të tarifës me 15%

Shpërndaj
Tags

Kompanitë publike të energjisë i kanë kërkuar Entit Rregullator një rritje të tarifave, e cila nëse do të miratohet shtrenjton çmimin e energjisë për konsumatorët deri në 15%. Rritjen më të fortë e ka kërkuar Operatori i Sistemit të Transmetimit, por paralelisht edhe KESH ka kërkuar rritjen e tarifës që përfitohet nga kjo kompani.

Enti Rregullator nisi zyrtarisht këtë të martë, seancat dëgjimore për vendosjen e cmimit të ri të energjisë, që do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Aplikimi i parë ishte ai i OST. Kompania e Transmetimit ka paraqitur 4 skenarë për tarifën e re, në një prej të cilëve kërkon një rritje të tarifës nga 0.65 lekë për kilovat që është aktualisht në 1.52 lekë për kilovat orë.

Por rritje të tarifës ka kërkuar edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Ndonëse çmimi i energjisë për KESH nuk përcaktohet nga ERE, por nga Ministria e Energjisë, Korporata ka kërkuar rritjen e tij. Aktualisht KESH përfiton 1.42 lekë për çdo kilovat orë që i shet OSHE-së.

Por më parë kompania ka kërkuar rritjen e çmimit që përfiton ajo të paktën deri në 2 lekë për kilovat. Kompania e fundit e sistemit, OSHEE ka kërkuar të mbajë çmimi aktual për familjarët, ndërsa për disa kategori të biznesit ka kërkuar rritje.

Nëse tarifat që përfitojnë KESH dhe OST do të rriten sipas kërkesës së dy kompanive, atëherë çmimi i energjisë për konsumatorët do të rritej deri në 15 për qind krahasuar me nivelin aktual.