Published On: Mër, Jan 3rd, 2018

OSHEE kërkon rritje me 53% të tarifës së shpërndarjes për bizneset

Shpërndaj
Tags

​Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë kërkesën për ndryshimin e tarifës së shpërndarjes për bizneset që shfrytëzojnë rrjetin e tij vetëm për shpërndarjen e energjisë ndërkohë që kanë furnizues të kontraktuar individualisht.

Konkretisht bëhet fjalë për atë kontingjent biznesi të lidhur në 35 kilovolt, të cilët nga 1 janari 2018 duhet të dalin në treg të lirë dhe të sigurojnë të vetëm energjinë. Ata që arrijnë të lidhin kontratën me një furnizues tjetër përveç OSHEE-së, për shpërndarjen e energjisë mund të përdorin rrjetin e kompanisë publike kundrejt pagesës.

Tarifa aktuale është 1.5 lekë për kilovat/orë të shpërndarë, ndërkohë që propozimi i OSHEE është që të jetë të paktën 2.3 lekë për kilovat orë të transmetuara, një rritje me mbi 53 për qind. Kërkesa e OSHEE vjen në kushtet kur për gjithë kategoritë e tjera, përfshirë objektet e kultit apo konsumatorët familjarë, nuk ka kërkuar ndryshime të tarifave. Nga ana tjetër, OSHEE do të jetë e detyruar të paguajë një tarifë më të lartë transmetimi nga ana e saj pranë OST, për të cilën ERE vendosi që nga 1 janari 2018 të jetë 0.75 lekë.

Burime pranë OSHEE konfirmuan se kërkesa e saj vjen si një opsion balancimi i situatës së vështirë të kompanisë, e cila gjatë këtij viti ka importuar në nivele rekord energji ndërkohë që do t’i duhet që të vijojë investimet në vitin e ardhshëm, por edhe të paguajë më shumë para tek OST.

ERE pritet që të marrë një vendim mbi këtë aplikim të OSHEE në vijim ndërkohë që ka lënë në fuqi gjithë pjesën tjetër të tarifave sikurse janë aktualisht.

Biznesi i lidhur në 35 kilovolt që ende nuk ka gjetur furnizues në tregun e parregulluar duket se nuk do të përjetojë kohët më të mira të tij pasi energjinë do ta blejë 10 për qind më shtrenjtë nga OSHEE, ndërsa edhe nëse e ka siguruar këtë energji me shumë gjasa do ketë kosto për shpërndarjen më të larta se sot. Por kjo tashmë mbetet në dorën e ERE. /Monitor/