Published On: Enj, Mar 8th, 2018

Nuk e keni vënë re?! Shkurti rriti çmimin e ushqimeve dhe të ujit, ja pasojat

Share This
Tags

Shtrenjtimi i ushqimeve dhe rritja e çmimit të ujit në Tiranë kanë bërë që infacioni të përshpejtohet në muajin shkurt.
Ndryshimi vjetor i çmimeve ishte më i larti që prej qershorit të vitit 2017.

Në muajin Shkurt 2018 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,1 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2 %, raportoi INSTAT. Pavarësisht rritjes, indeksi mbetet poshtë synimit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%, për disa vite radhazi tashmë, duke dëshmuar për një konsum relativisht të ulët, por edhe inflacion të ulët të importuar, të ndihmuar dhe nga zhvlerësimi I euros dhe dollarit.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit të muajit Shkurt 2018, krahasuar me Janar 2018, është 0,8 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,62 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,14 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,11 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje.

Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Shkurt 2017, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,1 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 2,9 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, “Transporti” me 2,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,7 %, “Shërbimi arsimor” me 0,6 %, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 17,8 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5,9 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 4,0 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” u ulën me 1,8 %.

Ndryshimi mujor i indeksit është +0,8 %. Krahasuar me muajin Janar 2018 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike me 2,0 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,4 % secili. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” shënuan një ulje prej 0,6 %. /Monitor