Published On: Sht, Mar 10th, 2018

Njihuni me shkollën, ku nxënësit “mësojnë me të vdekurit” (VIDEO)

Share This
Tags

Varreza ngjitur me oborrin e shkollës! Pamja aspak e zakontë, është shumë e zakonshme për nxënësit e shkollës “Tahir Sinani”, nga klasa e parë tek e nënta, që shohin varreza kur hyjnë në shkollë, kur kthejnë kokën nga dritarja e klasës, kur luajnë me top në oborr, derisa dalin nga shkolla, megjithëse pamjet i marrin me vete në shtëpi, disa edhe si makthe në ëndrrat e tyre.
“Kam frikë, njëherë kam parë një ëndërr, sikur më ra topi te varrezat dhe kur shkova për ta marrë, mu ngul një hekur në kraharor. Mbasdite është më frikë. Kur marr motrën nga shkolla natën është frikë…”, thonë nxënësit.

Më pak të frikësuar dhe më shumë të mësuar me pamjen e varrezave që i shoqëron kudo në shkollë, duken nxënësit e klasës së 8, megjithatë edhe ata kanë përjetimet e tyre të ankthit

Adriana Pura është mësuese në shkollën “Tahir Sinani”, prej 6 vitesh. Një nga klasat ku jep mësim rregullisht është ajo në katin e dytë me pamje drejtpërdrejt nga varrezat

“Para dy vitesh një nxënësi që i vdiq e ëma, erdhi pas pushimit në shkollë. Klasa ishte në katin e dytë dhe e pamundur që ai të përqëndrohej. një moment tjetër ishte një varrim dhe ai nuk mundi ta duronte, mbase kujtimi për nënën e vet, i ra të fikët. Dje kanë qenë 4 varrime, mendo si është situata, makinat që vendosen para shkollës, e qara, ulërima”, thotë ajo.

Psikologia e shkollës thotë se ka trajtuar rastet e shumë fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë për shkak të mendimeve të frikshme që u vijnë nga varrezat.

“Pasojat psikologjike kanë qenë shumë të rënda, sepse nxënësit janë cdo ditë përballë këtij fenomeni. traumat që ka lënë janë në faza të gjata, shumica e tyre pas shumë seancave e kanë të papraueshme realitetin që prindërit mund të jenë këtu. unë si psikologe kërkoj zhvendosjen e institucionit në një vend tjetër sepse trauma lë pasoja për ecurinë e tyre”, tregon Hasbije Kara, psikologe.

Por, veç pamjes së rëndë, mësuesja e fiskulturës ndan edhe një shqetësim tjetër.

“Na bie topi nga muri dhe nxënësit ngjiten nga muri për ta marrë. Kjo u rrezikon jetën, mund të thyejnë ndonjë këmbë kur kalojnë murin”, shprehet mësuesja Eva Thanasi.

Ndër vite, madje edhe sivjet, drejtuesit e shkollës “Tahir Sinani” thonë se kanë kërkuar zgjidhjen e kësaj bashkëjetese të frikshme që rëndon psikologjikisht fëmijët. Madje, ata thonë se i kanë ofruar bashkisë Kamëz sugjerime konkrete për këtë histori 16-vjeçare.

“Ngritja e murit rrethues me rreth 2 meter, mbjellja e pemeve të larta, ose zhvendosja e shkollës. Nga pushteti qendror është premtuar dhënia e fondit për ndërtimin e një shkolle të re, por nga pushteti lokal përgjigja ka qenë: nuk kemi vend konkret ku ta ndërtojmë shkollën”, thotë Maliq Qoku, nëndrejtori i shkollës “Tahir Sinani”.

Për Bashkinë Kamëz korrespondenca me Drejtorinë Arsimore ka qenë korrekte, madje sipas tyre shkresa ka marrë zgjidhje zyrtare. Nga Drejtoria e Komunikimit në Bashkinë Kamëz thonë se kanë projekte konkrete për shkollën “Tahir Sinani”.

“Muri real, që është pjesa rrethuese e parcelave do të ngrihet në ato nivele që s’do të jetë kërcënim vizual për nxënësit, ndërsa për pjesën e ambientit që ka komunikim pamor me parcelat do të jetë totalisht e izoluar dhe nuk do të ketë fushëpamje për këtë ambient. Shpresojmë që të jetë brenda 2018, por brenda vitit do të bëhet realizimi i projektit”, thotë Artan Dervishi nga Bashkia Kamëz.