Published On: Enj, Dhj 28th, 2017

Një rafineri borxhesh që tërheq brenda dhe naftëtarët! Si përfundoi ARMO në këtë gjëndje

Shpërndaj
Tags

Në shtator të vitit 2016, Kryeministri Edi Rama e quajti marrëveshjen për rivënien në punë të ARMO-s një sukses që zgjidhte përfundimisht krizën e rafinerisë.
Sipas marrëveshjes, ARMO u mor me qira nga IRTC, një kompani e regjistruar në parajsën fiskale të ishujve “vergin”.

“Investitorë amerikanë shumë seriozë kanë marrë përsipër vazhdimin e punës, përmirësimin rrënjësor të kushteve dhe unë kam shumë besim se situata do të ndryshojë”, ishte shprehur Rama më 2 shtator 2016.

Por situata nuk ndryshoi. Një raport zyrtar i ministrisë së financave për Kuvendin, tregon se vetëm për periudhën janar-shtator të këtij viti, IRTC ka krijuar mbi 30 milionë euro borxhe ndaj tatimeve. Megjithatë burime konfidenciale thonë se shuma reale e taksave të papaguara është gati dy herë më e lartë.

Sipas doganës, për dhjetë muajt e parë të vitit, ARMO ka prodhuar dhe shitur në tregun vendas 156 mijë tonë naftë, duke arkëtuar mbi 220 milionë euro. Nga këto para, 100 milionë euro duhet të ishin paguar si taksa në shtet për akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në. Por sipas dokumenteve rezulton se ARMO ka paguar vetëm akcizën në masën 50 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër është shmangur.

Burime konfidenciale, thonë se me ARMO-n po luhet sërish i njëjti skenar si me Taçi Oil, apo azerët që e shfrytëzuan pas tij. Rafineria shfrytëzohet nga kompani “offshore”, të cilat pasi nuk paguajnë taksat, largohen duke lënë një gropë të madhe në buxhet. Pronarët e kompanisë që shfrytëzon ARMO-n janë të panjohur sepse vijnë nga parajsat fiskale. Por opozita ka akuzuar se pas tyre qëndrojnë biznesmenë vendas të afërt me kryeministrin.

“Skema është e njëjtë. Ashtu siç ndodhi me koncesionin e TVSH-së që u denoncua nga opozita, ashtu siç po ndodh me portin e Karpenit e më shumë asete të tjera. Kompani “offshore”, pa kapitale, me pronarë të paidentifikueshëm, shtijnë në dorë pasuritë e shqiptarëve. Por këtë herë ka një emër dhe një biznesmen të qeverisë qartësisht të përfshirë. Mikun e Ramës, Besnik Sulën”, ishte shprehur Jorida tabaku më 2 shtator 2016.

Kriza e ARMO-s shpërtheu sërish. Punonjësit që protestuan këtë herë përpara ministrisë së energjisë për rrogat e papaguara, nuk janë të dëmtuarit e vetëm nga ARMO. Madje pagat e punonjësve janë vetëm një pikë uji në detin e madh qindra milionë euro taksash të papaguara në dhjetë vitet e fundit.

Në të shkuarën detyrimet e ARMO-s janë fshirë përmes amnistive fiskale. Ky skenar është përsëritur disa herë me bekimin e të gjitha qeverive, nga 2009-a deri më sot. Pyetja mbetet: Por me borxhet e krijuara rishtas si do veprohet? Dhe me qindra milionë euro borxhe të falura ndër vite, para taksapaguesish shqiptarë, çfarë arsye ka për ta mbajtur ARMO-n në këmbë?/TCH