Published On: Mar, Kor 25th, 2017

“Nesër dhe në vijim, as ndërtime pa leje, as legalizim”

Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës Saimir Tahiri vijon dëgjesat me banorë të Unazës së Re, zonë ku ka ndërtime informale. Për këtë shkak, në krye të ankesave ishin legalizimet. Një pjesë e tyre thanë se ende nuk kanë marrë një përgjigje për fatin e pronave të tyre.
Kyesocialisti i Tiranës tha se Qeveria duhet të rishohë qasjen ndaj legalizimeve duke mos përjashtuar njeri nga e drejta për të legalizuar shtëpinë e duke shpronësuar aty ku ka projekte publike ose ku toka është me pronar.

“Shteti në këto vite i ka një borxh shumë më të madh çdo qytetari që ka ndërtuar dhe pret sot legalizimin, sesa i ka ky i fundit vetë shtetit.

Kur njeriu ndërtoi pa leje, nuk e ndërtoi as në gjendje lufte as në një shtet tjetër. E ndërtoi me këtë shtet, dhe sa ka përgjegjësi një njeri që ka ndërtuar pa leje po aq përgjegjësi, në mos më shumë, ka shteti që e la dhe mbylli sytë.

Procesi i legalizimit po zgjat më shumë sesa vetë koha kur këto ndërtime pa leje janë ngritur.

Ndaj tani është koha shteti të mbylli prap sytë, të mos shohë pengesa e të bëjë të gjitha legalizimet pa asnjë përjashtim.

Dhe mendoj se kalon rruga – nuk kalon rruga, kalon investimi – nuk kalon investimi, ka pallat të lartë – s’ka pallat, ka studim – nuk ka studim; unë them se shteti një ditë duhet të përfundojë provesin e legalizimeve pa e zgjatur më, duke bërë një arsyetim të thjeshtë: kjo fotografia që është sot, është fotografia ligjore dhe këta njerëz që marrin frymë sot në këtë tokë dhe që kanë shtëpi me leje – pa leje, këta ekzistojnë.

Do legalizohen, të marrin letrat dhe nëse unë nesër do bëj një rrugë në atë shtëpi jam i detyruar të paguaj më shumë për atë rrugë që të shpronësoj.

Kështu shlyhet edhe borxhi historik, ndaj të gjithë atyre që presin legalizimin.

E gjitha kjo me një kusht e premtim publik: të mos ketë më ndërtime pa leje e as zgjatje afati për legalizime.

Kjo histori do mbyllur një herë e mirë, duke legalizuar çdo ndërtim që ka sot mbi tokë, pa kufizim. Asnjë ndërtim pa leje e asnjë legalizim, nesër e gjithmonë”, tha Saimir Tahiri.