Nesër bëhuni gati! Reshjet e shiut do të jenë intensive dhe përmbytjet... -Albpress Daily News
Published On: Die, Mar 11th, 2018

Nesër bëhuni gati! Reshjet e shiut do të jenë intensive dhe përmbytjet…

Shpërndaj
Tags

Fundjava në Shqipëri është shoqëruar me një mot përgjithësisht të kthjellët dhe temperatura që i shkojnë për shtat stinës së pranverës, por duket se duke filluar nga ditae nesërme, gjithçka do të kthehet përmbys.
Të hënën në territorin shqiptar do të nisin reshjet intensive të shiut, ndërsa në disa zona të Shkodrës, do të rikthehen përmbytjet. Alarmin e ka dhënë IGJEUM, i cili thekson se prurjet e lumenjve në veri të vendit do të sjellin rrezik të shtuar të përmbytjeve, sidomos në zonën tashmë të përmbytur të Shkodrës.

Ndërsa në lidhje me reshjet e shiut, ato do të jenë intensive në zona si Shkodra e Lezha. Reshjet do të prekin mesatarisht dhe në pjesë lokale edhe me intensitet të lartë, qytete si Tirana, Elbasani, Dibra apo Kukësi.

Për më tepër informacion lexoni postimin e IGJEUM:

RREZIKU NGA PËRMBYTJET

————————————–

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Nesër (e hënë, dt.12) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të RRITEN PRURJET në pjesët e larta malore duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Në pjesën fushore të basenit që i përket Lumenjve Drin-Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të vazhdojë të ketë nivele të larta të ujit por ZVOGËLIM të sipërfaqes së përmbytur përgjatë ditës së sotme, por me tendencë për RRITJE TË NIVELEVE DHE RREZIKUT ditën (e hënë, dt.12). Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të ngelen të larta për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna por do të varen edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve mbi lumi Drin. Për arsye të vazhdimit të rrezikut nga përmbytja është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës . Ngjyra e kuqe e qarkut është vendosur për shkak të rrezikut nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të pritshme. Në pjesën tjetër të territorit do të ketë shtim të prurjeve kryesisht përgjatë ditës së hënë.

Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve

PARASHIKIMI METEO

———————————

RESHJET

Sot pasdite (e diel, dt.11) dhe nesër (e hënë, dt.12) priten reshje në të gjithë territorin. Në qarkun Shkodër dhe Lezhë reshjet priten të jenë intesive dhe lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan mesatare deri lokalisht intesive, të shoqeruara edhe me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Shumica e reshjeve priten gjatë ditës së nesërme.

TEMPERATURAT

Nesër (e hënë, dt.12) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 12 / 18 °C

në vendet e ulëta: 10 / 18 °C

në vendet malore: 6 / 16 °C.