Published On: Pre, Jan 5th, 2018

Na ishte njëherë telefoni fiks në Shqipëri!

Share This
Tags

Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse ka rënë me 25% në pesë vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i abonentëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2016 ishte më pak se 249 mijë.

Krahasuar me vitin 2011, raportohen 83 mijë abonentë më pak. Këto shifra tregojnë qartë zhvendosjen masive të komunikimit drejt rrjeteve celulare, që numëron mbi 3.4 milionë përdorues ose numra telefonikë aktivë.

Ulja drastike e tarifave në paketat ofertë dhe përdorimi i aplikacioneve të mbështetura te interneti e ka zëvendësuar pothuajse totalisht telefoninë fikse për pjesën më të madhe të përdoruesve shqiptarë, raporton “Scan”.

Mjafton të themi që vitin e kaluar, një përdorues i telefonisë fikse kryente mesatarisht 65 minuta thirrje dalëse në muaj, ndërsa për telefonisë celulare përdorimi mesatar mujor ishte 166 minuta ose dy herë e gjysmë më i lartë.

Rrjetet fikse janë gjithnjë e më në funksion të shërbimeve të internetit dhe televizionit, të cilat do të jetë shtytësi kryesor i investimeve te këto rrjete në të ardhmen. Numri i abonentëve të internetit nga rrjetet fikse ka arritur në 288 mijë, me një rritje prej rreth 66% në harkun e pesë viteve.