Published On: Pre, Gus 25th, 2017

Mino Raiola këshillon Messin: koha e duhur për të ikur nga Barcelona…

Ylli argjentinas Lionel Messi ka rënë dakord për një marrëveshje të re me Barcelonën, por kontrata nuk është nënshkruar, çka ngre hije dyshimi mbi të ardhmen e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” në “Camp Nou”.

Për 30-vjeçarin interesohet shumë Manchester City, që menaxhohet nga ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola.

Ekipi anglez përflitet si një destinacion i mundshëm për yllin argjentinas.

Mino Raiola nuk përfaqëson Messin, por holandezi i lindur në Itali menaxhon emra të tillë të spikatur si Paul Pogba, Romelu Lukaku, Marco Verratti, Henrikh Mkhitaryan dhe Zlatan Ibrahimoviç.

Ai beson se tashmë është koha e duhur për një ndryshim te Messi. “Një lojtar si Messi duhet të provojë një tjetër përvojë, me një klub tjetër, për të treguar se sa i madh është”, tha Raiola për “Marca”.

Messi është golashënuesi më i mirë i Barcelonës, duke ndihmuar gjigantët katalanas në fitimin e 29 trofeve, përfshirë këtu 8 tituj në La Liga dhe 4 kurora të Ligës së Kampionëve.

Raiola, gjithashtu, tregoi pikëpamjet e tij mbi transferimin rekord të Neymar te PSG.

Klubi francez aktivizoi klauzolën e lirimit të Neymar prej 222 milionë € për të joshur brazilianin.

“Tregu, si i tillë, nuk ekziston më tani. Ky nuk është futboll. Por transferimet prej 200 milionë euro do të jenë normale që tani e tutje, nuk do të jetë e çmendur ta shohësh këtë”, tha ai.