Published On: Mër, Maj 2nd, 2018

Mësuesve nuk do u lejohet të mbajnë celularë në klasë

Mësuesve në shkollat e Shqipërisë nuk do t’i lejohet të mbajnë celularë në orën e mësimit. Lajmin e dha ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, teksa çeli nga qyteti i Kavajës, turin e llogaridhënies publike të qeverisë.

Nikolla tha se reforma e kurrikulave dhe teksteve në arsimin parauniversitar mbyllet vitin tjetër. Nga viti që vjen Nikolla deklaroi se çdo shkollë do të ketë inspektorin e saj për të anashkaluar problematikat e hasura.

“Në këto 4 vite besoj që së bashku me ju ne ja dolëm të ndryshonim qasjen në sistemin tonë të arsimit parauniversitar duke implementuar një kurrikul të re të përshtatur edhe me atë që ishte reforma jonë e teksteve shkollore. Vitin tjetër përmbyllim gjithë reformën kurrikulare në arsimin parauniversitar. Kemi filluar me një proces të ri rekrutimi përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Testimi në kompjuter dhe në kohë reale, çdo mësues që testohet merr përgjigje, kështu do të bëjmë edhe procesin e rekrutimit. Pra ndryshojmë faktin që mësuesit duhet të takojnë drejtorin e zyrës arsimore. Ndërsa Shkolla e Drejtorëve do të mundësojë kualifikimin për çdo drejtues shkolle që janë aktualisht. Që me vitin e ardhshëm shkollor ne rikthejmë inspektimin në çdo shkollë të Shqipërisë. Do të jetë syri monitoruesi i standardeve dhe problematikave, i ngritjes së alarmit, jo kur të ketë mbaruar viti shkollor dhe kur të shohim përmes mediave ndonjë mësues që dhunon apo ndonjë mësues që abuzon me detyrën por do të kemi gjithë informacionin në kohë reale për të ndërhyrë në kohë reale për të gjitha këto problematika. 3 lëndë në 6 orë ishte një nga nismat dhe betejat që u fitua që në javën e parë. Mësuesve do ju ndalohet hyrja në orë të mësimit me celularë, ne do ecim edhe më shumë tek nxënësit por ky është parakushti i parë”, deklaroi Nikolla.

Shtimi i mësuesve ndihmës në shkolla dhe shtrirja e projektit bëjmë detyrat e shtëpisë edhe në shkollat e Kavajës ishin ndër kërkesat kryesore të prindërve të nxënësve të këtij qyteti.

Nikolla nënvizoi se gjatë këtij viti Qarkut të Tiranë do t’i shtohen 3 shkolla të reja.