Mediu reagon pas akuzave të Ramës për trupin diplomatik: kërkon t´I bëjë pjesë të tepsisë… -Albpress Daily News
Published On: Pre, Gus 25th, 2017

Mediu reagon pas akuzave të Ramës për trupin diplomatik: kërkon t´I bëjë pjesë të tepsisë…

Kreu republikan, Fatmir Mediu, ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe akuzave të kryeministrit Edi Rama në drejtim të trupit diplomatik, një pjesë të të cilit e quajti edhe delinxhinj.

Mediu, i cili është deputet i listës së PD-së, përmes një komenti në rrjetet sociale shkruan se Rama kërkon ta zhvendosë përgjegjësinë drejt ambasadorëve për mungesën e investimeve të huaja në Shqipëri.

Kreu republikan rendit arsyet sepse sot Shqipëria nuk thith projekte të huaja, madje as pse nuk përfitoi nga proçesi i berlinit. Sipas tij, përgjegjësia për situatën ka vetëm një emër, Edi Rama.

Reagimi i Fatmir Mediut

Pasi Edi Rama ndryshoi ligjin për trupin diplomatik me qëllim që të vendoste nëpër ambasada militantët e Rilindjes, tani kërkon që ambasadorët të kthehen në sekser të interesave të tij ekonomike.

Duke iu drejtuar ambasadorëve me një gjuhë të papranueshme, Rama kërkon të zhvendosë përgjegjësinë drejt tyre për mungesen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Trupi diplomatik, Forcat e Armatosura apo Policia, me ligj karrierën e tyre nuk duhet dhe nuk mund t´a vendosin në pëlqimin politik të kryeministrit apo ministrit, por kritereve që përcakton ligji përndryshe ata nuk mund të jenë ambasadorë, policë dhe ushtarakë të shtetit, por të partisë socialiste dhe Ramës siç ai po këmbëngul vazhdimisht.

Mungesa e investitorëve në Shqipëri, vjen qartësisht për shkak të korrupsionit, një strukture qeveritare pa projekte dhe vizion për zhvillimin ekonomik të vendit, pasigurisë për jetën, pasigurisë juridike për zbatimin e kontratave apo detyrimeve, pasigurisë për pronën dhe padyshim taksat e larta dhe kompleksiteti i tyre.

Rama s´ka mundur të marrë asnjë mbështetje thelbësore finaciare qoftë edhe nga proçesi i Berlinit, sepse ai nuk shkon për të prezantuar veten e tij, duke u përpjekur të bëj lajm jo me projekte te zhvillimit të vendit, por me sjelljen dhe veshjen që s´kanë asgjë të përbashkët me kryeministrin apo shtetarin.

Për investitorët e huaj Rama i ka “Ambasadorët e tepsisë, janë ata me të cilët blen zgjedhjet dhe bën tenderat dhe koncesionet”.