Published On: Pre, Mar 31st, 2017

Më në fund një lajm i mirë për depozituesit, rriten interesat

Shpërndaj
Tags

Pas muajsh të tërë që depozituesit kanë parë kursimet e tyre në banka pothuajse të pandryshuara, si rrjedhojë e normave të ulëta të interesit, më në fund ka ardhur një lajm i mirë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesave të depozitave me afat nga 1 muaj deri në 5 vjet arriti në 0.98% në shkurt, nga 0.83% që ishte në janar. Ky është niveli më i lartë në më shumë se dy vjet.

Rritjen më të lartë e kanë shënuar depozitat 5 vjeçare, me 0.37 pikë përqindje. Interesi mesatar vjetor, që merr  nëse i mbyll kursimet në bankë për 60 muaj, në shkurt ishte 2.24%. Teksa normat e interesit të depozitave për kursimet një vjeçare në lekë vitet e fundit kanë rënë ndjeshëm, individët i janë drejtuar kursimeve afatgjata, që ofrojnë kthime më të larta.

Në rritje ka qene dhe norma e depozitave 12 mujore, që përgjithësisht kanë qenë më të preferuarat e depozituesve, që janë zgjeruar me 0.25 pikë përqindje, për të arritur në 0.94%. Megjithatë, ato mbeten sërish të ulëta, përderisa janë poshtë 1%.

Edhe nga kursimet 2 vjeçare fitohet më shumë, me interesat mesatare që kanë arritur në 1.54%, nga 1.32% në janar.

Që kur Banka e Shqipërisë filloi politikën monetare lehtësuese në shtator të vitit 2011, duke ulur normën bazë, ajo tentoi ti bënte kreditë më të lira në mënyrë që të nxiste investimet dhe në të njëjtën linjë normat e depozitave ranë, duke i bërë kursimet më të paleverdishme.

Si rrjedhojë e  interesit të ulët për të depozituar, kursimet në lekë, sidomos ato të individëve kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit.

Depozitat në euro, jo fitimprurëse

Lajmet e mira janë vetëm për ata që kanë kursime në monedhën vendase. Interesi i depozitave mesatare në euro në shkurt ishte 0.13%, nga 0.18% një muaj më parë, duke arritur nivelin më të ulët në të paktën dy vjet.

Nëse i mbyll paratë për një vit, interesi që merr është vetëm 0.12%, shkruan Monitor.

Për depozitat 5 vjeçare, interesi është 1.14%.

Pavarësisht normave më të ulëta të kthimit në valutë, euro duket se po bëhet në monedhën e preferuar për të kursyer. Prej disa muajsh, Shqipëria, një vend që ka si valutë kombëtare lekun, ka më shumë kursime në euro, sesa në lekë. Në shkurt, depozitat në valutë përbënin 52.4% të totalit.

Gjatë vitit të fundit (shkurt 2017/shkurt 2016), depozitat në lekë kanë rënë me 5.9 miliardë lekë.

Në të kundërt, kursimet në valutë, kryesisht euro, janë rritur me 29 miliardë lekë.

norma mes interesit