Maturantë, degët më të vështira për t’u regjistruar, 10 programet e studimit me notat më të larta -Albpress Daily News
Published On: Enj, Jan 25th, 2018

Maturantë, degët më të vështira për t’u regjistruar, 10 programet e studimit me notat më të larta

Pas publikimit të 20 programeve të studimit, të cilat patën më shumë kërkesa në të dyja raundet e aplikimit, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve ka bërë publike të tjera të dhëna nga raporti mbi vitin akademik 2017-2018.
Ministrja ka listuar 10 degët, të cilat në fund të regjistrimit dhe plotësimit të kuotave kanë patur notën mesataren më të lartë.

Ashtu siç pritje, Mjekësia e përgjithshme mban notën më të lartë, 9.75, pavarësisht numrit të konsiderueshëm të kuotave, 270. Pas saj ndjek një tjetër program i Fakultetit të Mjekësisë, dega e Stomatologjisë, e cila ka patur një notë mesatare 9.6 mes 100 studentëve të regjistruar.

Inxhinieria informatike zë vendin e tretë në këtë listë, me një notë mesatare 9.57 mes 100 studentëve që kanë fituar të drejtën të studiojnë në këtë program, raporton “Scan”.

Lista dominohet nga programet e mjekësisë, ku krahas dy të parave, ndjekin programet Farmaci, Logopedi dhe Fizioterapi, me një notë mesatare përkatësisht 9.48, 9.28 dhe 9.25.

Për të ndjekur trendin e fundit të regjistrimeve në programet që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit, krahas inxhinierisë informatike, në listë vëmë re edhe programet Inxhinieri Elektronike, Informatikë Ekonomike dhe Inxhinieri Telekomunikacioni, me nota mesatare përkatësisht 9.41, 9.41 dhe 9.31.

I vetmi program studimi që del jashtë natyrë së programeve të mësipërme është Arkitektura, ku 107 studentët e regjistruar këtë vit akademik kanë një notë mesatare 9.36.

Këto programe përbëjnë edhe degët më të vështira për të fituar të drejtën e studimit dhe prestigjin që ato mbartin, për shkak se 5 prej tyre renditen edhe mes 20 programeve me më shumë kërkesa.