“LSI është gati që nesër për zgjedhjet e parakohshme” -Albpress Daily News
Published On: Mar, Maj 29th, 2018

“LSI është gati që nesër për zgjedhjet e parakohshme”

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili tha se forca politike që ai bën pjesë është gati për zgjedhje të parakohshme.

I ftuar në studion e lajmeve të Ora News ai tha se LSI është gati që nesër, ndërsa theksoi se kusht i panegociueshëm është rrëzimi i Ramës.

Pjesë nga intervista

Ilva Tare: Është koha, është momenti a është gati opozita për zgjedhje të parakohshme?

Petrit Vasili: Që nesër!

Ilva Tare: Ky është një skenar që LSI e mbështet,që të shkohet në zgjedhje të parakoshme?

Petrit Vasili: Që nesër, jo për të mirën e opozitës, por për të mirën e një Shqipërie që ka mbetur e mbërthyer në kthetrat e kriminelëv dhe trafikantëve

Ilva Tare: Po çfarë ka ndryshuar nga një vit më parë?

Petrit Vasili: Shkalla e denoncimit dhe ndërgjegjësimit dhe inkriminimit është sot shumë herë më e fortë se një vit më parë dhe për këtë mijëra qytetarë janë aty dhe mbështesin dhe i përgjigjen thirrjeve tona edhe në aktivitete shumë të mëdha që zhvillohen brenda pak ditësh.

Ilva Tare: Vetë LSI ka sondazhe, ka matje të opinionit publik?

Petrit Vasili: Ju e dini shumë mirë që ne punojmë me to, jemi shumë objektiv me to. Edhe ju e dini që ne i qëllojmë në shenjë ato që bëjmë.

Ilva Tare: Do ta kërkoni këtë skenar për zgjedhje të parakohshme, apo rrëzimi i Ramës është prioritet ?

Petrit Vasili: Rrëzimi i Ramës është kusht i panegociueshëm pasi është një njeri që ka marrë përsipër, jo thjesht të shkatërrojë këtë vend, sepse ky është një fakt, por marrëzia e cila nuk kursen të shprehet edhe në mediat e kolegëve tuaj. Ju e dini pak më parë u bë publik një intervistë tij kur tha se nuk ka problem as që shqiptarët të ikin në emigracion, as që plagosen shqiptarët.