Published On: Enj, Maj 25th, 2017

Listat e kandidatëve/Ja ku do të kandidojnë aleatët e PD…

Partia Demokratike ka përmbullur negociatat me aleatët e saj parlamentarë, duke arritur të bindë 4 nga 5 partitë që kishte në aleancë.

Burime nga PD konfirmojnë se marrëveshjet janë përmbyllur me PR, PDK, LZHK dhe PBDNJ-në, ndërsa PAA e drejtuar nga Agron Duka do të kandidojë më vete.

Sipas burimeve, kreu republikan Fatmir Mediu do të kandidojë në Fier, Nard Ndoka i PDK-së në Shkodër, Dashamir Shehi i LZHK-së në Tiranë dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së në Vlorë.

Të 4 kryetarët e partive aleate të PD-së do të jenë në pozicione të sigurta, ndërsa në listat e PD mund të përfshijnë edhe kandidatë të tjerë, por jo në pozicionet e sigurta dhe kjo në qarqet ku këto parti kanë ndikim apo vota në elektorat.

Ndërkohë mësohet se Agron Duka do të kandidojë me listën e PAA, ndërsa do të kryesojë listën e kësaj partie në Qarkun e Durrësit.

Burimet nga PD konfirmojnë se partive joparlamentare i janë ofruar vende në listat e kandidatëve, por në një renditje jo të sigurtë për marrjen e mandatit. Mësohet se lista përfundimtare e PD pritet të depozitohet mbrëmjen e së premtes në KQZ.