Published On: Mar, Gus 29th, 2017

Lindita Nikolla fton në takim Lulzim Bashën: gati të dëgjoj propozimet e PD për arsimin

Lindita Nikolla ka reaguar përmes një komenti në rrjetet sociale në lidhje me akuzat që kreu I PD-së, Lulzim Bash aka drejtuar ndaj qeverisë përsa I takon librave shkollore. Në dy ditët e fundit, Basha ka propozuar që librat shkollorë, veçanërisht për arsimin e detyrueshëm të jepen falas, duke kujtuar se paratë po shkojnë për fasadat e ministrive dhe luksin e zyrave qeveriitare.

Basha gjithashtu ka përmendur se në të gjitha vendet e rajonit librat jepen falas, ndërsa në Shqipëri shqiptarët paguajnë edhe më shtrenjtë se vitin e kaluar.

Por Lindita Nikolla, e cila pritet të marrë detyrën e ministres së Arsimit në qeverinë “Rama2” thotë se nuk është e vërtetë që në të gjitha vendet e rajonit librat jepen falas.

“Me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, unë do iu kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar”, shkruan Nikolla në përgjigjen drejtuar Bashës.

Komenti I Lindita Nikollës

Zoti Basha, mbase e keni harruar që prej më shumë se tre muajsh, dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj. Prandaj po jua kujtoj!

Mbase nuk e dini edhe që pavarësisht dorëheqjes, e zgjedhura juaj ka qenë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme. Ndërkohë që mund të ju kish informuar për organizimin e shpërndarjes së librave duke i dhënë fund evazionit, si dhe për paketën e teksteve që lidhet me kurrikulën e re.

Prandaj po jua bëj me dije.

Dhe së fundi, mbase nuk e dini, por është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin. Prandaj po iu informoj.

Megjithatë, me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, unë do iu kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar.

Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme.