Published On: Enj, Qer 21st, 2018

Letra e përbashkët/PD-LSI: Heqja e të drejtës së fjalës opozitës, fundi i parlamentarizmit

Drejtuesit e dy grupimeve parlammentare në opozitë, Edmond Spaho (PD) dhe Petrit Vasili (LSI) përmes një deklarate të përbashkët shprehet se votimi i maxhorancës për të ndërprerë diskutimet e opozitës, mohoi të drejtën kushtetuese të deputetëve të opozitës per të folur.

Vasili dhe Spaho theksojnë se heqja e të drejtës së fjalës së opozitës është një akt i paprecedentë, që shënin një rekord antikushtetues në veprimtarinë e Kuvendit.

Sipas tyre, votimi për t’i mohuar të drejtën e fjalës opozitës dhe pa lejuar diskutimin e deputetëve bën nul seancën e sotme plenare dhe të gjitha vendimet e marra.

“Nëse opozitës i mohohet edhe kjo e drejtë, atëherë prezenca jonë në Kuvend shndërrohet në fasadë, që nuk i shërben interesit publik dhe vetë funksionimin normal të Parlamentit”, thuhet në letër.

Letra e përbashkët

– Votimi i maxhorancës për të ndërprerë diskutimet e opozitës mohoi të drejtën kushtetuese të deputetëve të opozitës per të folur.

-Heqja e të drejtës së fjalës së opozitës është një akt i paprecedentë, që shënin një rekord antikushtetues në veprimtarinë e Kuvendit.

-Votimi për t’i mohuar të drejtën e fjalës opozitës dhe pa lejuar diskutimin e deputetëve bën nul seancën e sotme plenare dhe të gjitha vendimet e marra.

-Dhunimi brutal i të drejtës së opozitës për të folur nga Kryetari i Kuvendi dhe mazhoranca dëmton në mënyrë të parikuperueshme bashkëjetesën midis mazhorancës dhe opozitës në Parlament.

-Nëse opozitës i mohohet edhe kjo e drejtë, atëherë prezenca jonë në Kuvend shndërrohet në fasadë, që nuk i shërben interesit publik dhe vetë funksionimin normal të Parlamentit.

Letra e përbashkët e kryetarëve të grupeve parlamentare të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili

Seanca parlamentare e datës 21.06.2018, shënoi një akt të paprecedentë në historinë e Parlamentit Shqiptar.

Edhe pse deputetët e opozitës kishin regjistruar në sekretari kërkesën e tyre për të diskutuar për çështjet e përfshira në rendin e ditës, Kryetari i Grupit Palamentar të Partisë Socialiste, pasi njoftoi tërheqjen nga diskutimi të të gjithë deputetëve të mazhorancës, i kërkoi Kryetarit të Kuvendit që të ndërpriste diskutimet e deputetëve dhe të kalonte menjëherë në votimin e pikave të rendit të ditës. Një kërkesë e tillë, e padëgjuar kurrë më parë, nuk ka asnjë mbështetje ligjore dhe mohonte të drejtën e deputetëve të opozitës për të diskutuar.

Kryetari i Kuvendit në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, hodhi në votim kërkesën për të ndërprerë diskutimet, e cila u miratua po nga mazhoranca, duke i mohuar kështu të gjithë deputetëve të opozitës të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore për të diskutuar në seancë plenare, edhe pse ato nuk ishin tërhequr nga diskutimi.

Ky akt i paprecedentë për Parlamentin Shqiptar, ku hidhet në votim dhe miratohet një propozim për t’i hequr të drejtën e fjalës opozitës, shënon një tjetër rekord të errët dhe antikushtetuese në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. E drejta e fjalës së deputetëve të opozitës, si përfaqësues të popullit, është një e drejtë e pa mohueshme dhe që nuk varet në asnjë rrethanë apo arsye nga vullneti i mazhorancës. Ky akt bën nul seancën e sotme plenare dhe të gjitha vendimet e marra, pa lejuar diskutimin e deputetëve mbi to, dhe për pasojë seanca plenare duhet të rimblidhet me të njëjtin rend dite.

Nëse mazhoranca, për shkak të numrave në Kuvend, merr vendime se kur duhet të flasë apo nuk duhet të flasë opozita, atëherë akte të tilla shënojnë fundin e parlamentarizimit dhe dhunim më flagrant të demokracisë funksionale në vend.

Ne Kryetarët e Grupeve Parlamentare të opozitës, shprehim shqetësimin tonë të thellë për këtë akt të paprecedentë në Kuvendin e Shqipërisë dhe për dhunimin brutal që Kryetari i Kuvendit dhe mazhoranca i bëri sot të drejtës së opozitës për të folur në Parlamentin e shqiptarëve. Akte të tilla dëmtojnë në mënyrë të parikuperueshme bashkëjetesën midis mazhorancës dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, dhe thellojnë edhe më tej klimin e mungesës së bashkëpunimit konstruktiv midis palëve.

Opozita shqiptare nuk do të tolerojë një dhunim të tillë flagantë të të drejtës së vet kushtetuese për të diskutuar në Parlament, si dhe shpreh të gjithë vullnetin e saj për të mos lejuar degradimin e Kuvendit deri në akte të tilla të paprecedentë për demokracinë në vend. E drejta e fjalës është mekanizimi i vetëm sesi opozita mund të përfaqësojë interesat e qytetarëve në sallën e Kuvendit. Nëse opozitës i mohohet edhe kjo e drejtë, atëherë prezenca jonë në Kuvend shndërrohet në fasadë, që nuk i shërben interesit publik dhe vetë funksionimin normal të Parlamentit.

Me respekt,

Kryetar i Grupit Parlamentar PD

Edmond Spaho

Kryetar i Grupit Parlamentar LSI

Petrit Vasili