Published On: Mar, Gus 1st, 2017

Leku fiton terren ndaj euros, ja kursi i shkembimit …

Kjo javë ka nisur e mbarë për monedhën vendas, e cila po rifiton pikët e humbura gjatë javës së kaluar. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 132.76 lekë, me një rënie prej 0.22 lekë në raport me një ditë më parë.

Kjo është dita e dytë radhazi kur monedha e përbashkët shënon rënie, pasi në fund të javës së kaluar arriti në nivelin më të lartë prej më shumë se një muaj, duke e kaluar kuotën e 133 lekëve.

Për ata që nuk janë nisur ende me pushime, ky është një lajm i mirë, pasi do u duhen më pak lekë për të konvertuar të njëjtën sasi në euro.

Në rënie, madje edhe më të fortë ka qenë dollari, i cili gjatë ditës së sotme u këmbye me 112.46 lekë, me një rënie të fortë prej 0.93 lekësh. Ndryshe nga një vit më parë, kur një dollar këmbëhej me 123 lekë në të njëjtën periudhë, tashmë monedha e gjelbër këmbehet me gati 11 lekë më pak, duke sjellë kursime relativisht të larta për ata që duan të shkojnë në Amerikë, apo dhe të ikin në Turqi, ku pranohen si euro, ashtu edhe dollarë.

Në bursat ndërkombëtare euro vijon të jetë e fortë, duke u ngjitur në kuotën e 1.18 USD, niveli më i lartë i 16 muajve, pasi dollari ra nga stuhia politike e shkaktuar në Uashington, teksa Presidenti Donald Trump pushoi nga puna shefin e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Anthony Scaramucci, të hënën, 10 ditë pasi ai ishte marrë në punë.

Tregjet presin që euro të rritet sërish ndaj dollari, më shumë se 12% këtë vit.
Në tregun vendas, gushti shoqërohet gjithnjë me një forcim të monedhës vendase, si rrjedhojë e efekteve sezonale, të lidhura me prurjet e emigrantëve, ndërsa këtë vit ka dhe një fluks të shtuar të turistëve, sidomos nga Europa Lindore, kryesisht çekë dhe polakë. /Monitor