Published On: Mon, Apr 17th, 2017

Vlerat ushqyese të ananasit

Ananasi është një frut tropikal me një shije shumë të shijshme. Kjo pemë ndihmon organizmin në forcimin e kockave, në përmirësimin e gjendjes shëndetësore gjatë gripit, si dhe në parandalimin e problemeve me zemër.

Edhe pse është pak e vështirë ta ndash frutën nga lëkura, rëndësia qëndron te përbërësit që fruta përmban. Fillimisht duhet theksuar se është tepër e rëndësishme që ananasi të jetë i freskët dhe kjo dallohet tek gjethet e tij. Ato nuk duhet të jenë aspak të zverdhura, por në një ngjyrë jeshile sa më të errët.

Ananasi ka përmbajtje të madhe të acideve të pemëve të cilat luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin e kancerit të stomakut. Acidet e pemëve parandalojnë grumbullimin e substancave kancerogjene në stomak dhe nxisin punën e mirë të metabolizmit.

Përveç kësaj përmban vitamina A dhe C, të cilat janë antioksidante të forta, kalcium, fosfor, magnez, hekur, natrium, kalium, sakarozë dhe enzimën bromelain. Bromelain ndihmon në zbutjen e ushqimit në stomak dhe pengon rritjen e qelizave të kancerit.

Hulumtimet tregojnë që ananasi forcon sistemin e imunitetit, ndihmon kapërcimin e lodhjes dhe rrit qëndrueshmërinë dhe forcën. Lëngu i ananasit është i njohur si mjet i shkëlqyeshëm për lagështimin e fytit dhe lehtësimin e dhimbjes së kokës.