Published On: Sun, Mar 26th, 2017

Basha: Perëndimi na mbështet, dielli po incineron gënjeshtrat e Ramës

Në ditën e 37 të protestës para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u kujdes të nënvizonte se kauza e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme ka mbështetjen ndërkombëtare.

Sipas Bashës, tentativa e Ramës për të deformuar të vërtetën me paratë e drogës ka dështuar.

Sakaq pati një përgjigje edhe për akuzat se çadra e protestës po mbështetet nga qarqe që jo domosdoshmërisht i duan të mirën Shqipërisë.

Basha: Amerika është me ne, Europa dhe aleatët e Shqipërisë janë me ne deri në fitore. Fillon dhe llomotit, e keni dëgjuar të flasë për armiqtë e jashtëm që nuk i duan të mirën Shqipërisë, të cilët sipas tij paskan bërë konspiracion me këtë çadër lirie, me këtë shesh lirie, me këtë koalicion lirie. Po kundër kujt? Sot nga ky shesh dua ti them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre me paratë e drogës shqiptare lehin kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një armik, kjo është tirania e krimit, korrupsionit, tirania e drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani. Armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve janë oligarkia, krimi i organizuar dhe narkomafia e cila po investon rëndë për të deformuar të vërtetat dhe treguar botës jo realitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve por realitetin e bandave, krimit të organizuar dhe bandave të bërë njësh me ta. Por kanë dështuar dhe po dështojnë me sukses të plotë.

Dielli po incineron, po djeg dhe përvëlon gënjeshtrat e Edi Ramës dhe konsulentëve të tij të paguar me paratë e mafias shqiptare.Uashingtoni e di të vërtetën, Perëndimi e di të vërtetën, e vërteta ka triumfuar.E vërteta e dhimbshme e një qeverie që qeveriset nga një Kryeministër i bërë njësh me narkomafian dhe krimin e organizuar ka triumfuar dhe pas të vërtetës vjen fitorja e vlerave dhe fitorja e betejës sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të presim në këtë shesh të vendosur dhe të bashkuar kështu si jemi lajmin e fitores, lajmin e largimit të Edi Ramës, qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ndërsa në çadër pati të ftuar anëtarë të Aleancës Kuqezi dhe kryetarin e komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, Basha tha se qëndresa e opozitës është një lëvizje kombëtare.

Basha: Kjo është një lëvizje kombëtare. Nga fitorja dhe fati i kësaj beteje varen fati dhe fitorja e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi e diasporë.Alternativë tjetër nuk ka. Një Shqipëri e dobët, e nëpërkëmbur ku një klikë pushtetarësh të korruptuar mbajnë peng të sotmen dhe të nesërmen e vendit duke kyçur nën 7 dryrë dinjitetin e shqiptarëve përmes dhunimit, blerjes dhe kërcënimit të votës së tyre është garancia më e mirë për armiqtë e kombit shqiptar që të vazhdojnë ti mbajnë shqiptarët nën zgjedhë, të vazhdojnë ti poshtërojnë, të vazhdojnë tua mohojnë të drejtat themelore që i kanë të garantuara me dokumenta kryesore ndërkombëtare. Në Preshevë para tre vjetësh kryeministri aktual premtoi mkështetjen e shtetit shqiptar për arsimin, njohjen e diplomave, ndihmë të drejtëpërdrejtë për zhvillimin social dhe ekonomik. Asnjë nga këto premtime nuk janë bërë realitet.

Por kreu i opozitës u tregua i kujdesshëm kur tha se:

Basha: Kjo është një lëvizje kombëtare, nuk është një lëvizje që synon zhbërjen e kufijve. AK dhe koalicioni ynë nuk synon zhbërjen e kufijve por synon që këto kufij të mos jenë më as barriera dhe as pengesa, por ti bashkojnë shqiptarët me dinjitet, të drejta dhe standarte europiane të jetës që fillojnë me standartin europian dhe amerikan, standartin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. /oranews/