Published On: Mon, Mar 20th, 2017

Vendimi/Minimumi jetik, Qeveria hedh poshtë nismën e Blushit dhe Hafizit

Ministria e Financave rrëzon nismën e deputetëve të LIBRA-s Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi për llogaritjen dhe njohjen e minimumit jetik në masën 17.000 lekë në muaj.

Ministria e Financave argumenton se projektligji ka kosto në buxhetin e shtetit dhe nuk janë kryer konsulta në institucione dhe grupet e interesit.

Në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale, deputeti Ben Blushi tha se me këtë vendim qeveria lë në varfëri ekstreme 400 mijë shqiptarët.

Jashtë dyerve të Komisionit, deputetja tjetër e LIBRA-s Mimoza Hafizi tha se qëndrimi i qeverisë ndaj draftit është jo serioz.

Deputetët e LIBRA-s mendojnë se është detyrim ligjor llogaritja dhe shpallja e minimunit jetik që do të çonte drejt ndryshimit të politikave sociale për të qenë më pranë të varfërve.

Ky hap sipas deputetëve është marrë në vendet e rajonit dhe në ato europiane, ndërsa në vendin tonë ka patur vetëm një studim të Avokatit të Popullit Igli Totozani që minimumi jetik të jetë 1600 lekë për person në ditë.