Published On: Wed, Nov 15th, 2017

Patentat e Tahirit/Reagon Rama: Le te flase drejtesia..

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në lidhje me patentat e ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, që u gjetën në automjetin e një biznesmeni, ku gjithashtu u sekuestruan mbi 860 mijë euro.

Rama ka mohuar të ketë komunikuar me Tahirin pas gjetjes së patentave, ndërsa u shpreh se as ai, as qeveria dhe as PS nuk janë avokatët e ish-ministrit të Brendshëm.

“Është drejtësia që duhet të na thotë të vërtetën. Kjo është një çështje që i takon Tahirit dhe avokatëve të tij. Unë, qeveria dhe PS nuk janë avokatë të Tahirit. Përpara drejtësisë duhet të sillemi të gjithë si të barabartë.  Nuk i takon politikës që të futet në mes çështjeve të tilla. Kur flasim për drejtësinë ne duhet t’ia lëmë drejtësisë të bëjë punën e saj. Çdokush mban përgjegjësi për atë që bën dhe nëse shkel ligjin, mban përgjegjësi për shkeljet.

Tahiri është jashtë grupit parlamentar, jashtë forumeve të PS-së, ne morrëm përsipër përgjegjësinë politike.

Përpara drejtësisë duhet të sillemi të gjithë si të barabartë. Ndërkohë nga ana tjetër, sigurisht kam parë dhe kam dëgjuar, por as kam parë dhe as kam dëgjuar asnjë përpjekje për një shpjegim racional për këtë çështje nga ata që kanë të drejtën dhe detyrën të flasin që janë njerëzit e medias”, tha Rama.

Në lidhje me kanabizimin e vendit, kryeministri e cilësoi luftën të fituar. Madje Rama tha se partnerët ndërkomnbëtarë nga monitorimet që kanë kryer në territorin shqiptar janë habitur nga rezultatet e arritura për 2017, pasi vendi ka dalë nga harta e kultivimit të kanabisit. Gjithsesi Rama pranoi se fatkeqësisht kanabizimi korruptoi punonjës dhe shefa policie.

Në lidhje me krimin e organizuar, Rama premtoi se do ta shkatërronte, duke shtuar se ai nuk ishte aq i sofistikuar sa të fitonte betejën me shtetin.