Published On: Sat, Nov 11th, 2017

Faza Play off/ Suedia një makth, Italia komplikon kualifikimin

Me mbështetjen e 50 mijë tifozëve në shkallët e stadiumit, Suedia ia ka dalë të hedhë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në botërorin ‘Rusi 2018’. Skandinavët mposhtën 1-0 Italinë, në një takim të luftuar shumë dhe do të jenë më të qetë në ndeshjen e kthimit, pas 3 ditëve në Milano.

Pjesa e parë ishte me një ritëm mjaft të lartë, ku vendasit, të nxitur edhe nga tifozëria e zjarrtë, tentuan të vënë në vështirësi italianët me anë të presingut të vazhdueshëm. Gjithsesi, skuadra e Venturës u mbrojt mirë, ndërsa kërcënoi disa herë rrezikshëm me anë të kundërsulmeve. Vlen të përmendet një karton i verdhë i Verratit, që i kushton atij mungesën në sfidën e ardhshme, në ‘San Siro’, të hënën në mbrëmje.

Në pjesën e dytë Italia shfaqet më kërkuese, por golin e gjen Suedia. Daniele De Rossi është i pafat, pasi devijon në rrjetë një goditje të Johansson, me topin që po shkonte jashtë portës dhe shtang Buffonin.

‘Të kaltrit’ reagojnë menjëherë dhe hidhen në sulm, ndërsa i shkojnë shumë pranë golit, me anë të mbrojtësit të Manchester United-it, Darmian, që gjuajti nga jashtë zone, por topi u përplas në shtyllën e portierit të Suedisë. Trajneri i Italisë, Ventura hedh në fushë sulmuesit Eder dhe Insigne, por sërish nuk arrin të gjejë golin e barazimit.

Me këtë rezultat, Italia ka komplikuar rrugën për në Rusi, pasi në ‘San Siro’ do t’i duhet një fitore me 2 gola diferencë për të siguruar kualifikimin, ose të paktën me të njëjtin rezultat, për të çuar takimin në shtesë.

61’ – Suedia kalon në avantazh. Daniele De Rossi është i pafat, pasi devijon në rrjetë një goditje të Johansson, me topin që po shkonte jashtë portës dhe shtang Buffonin.