Published On: Fri, Nov 10th, 2017

Debati për borxhin, qeveria: E ulim 2.1%

Qeveria parashikon që vitin e ardhshëm borxhi publik të ulet me 2.1 për qind ndaj prodhimit kombëtar, duke arritur në 68.6 për qind.

“Ndërkohë që kemi si objektiv reduktimin e nivelit të borxhit me 2 pikë përqindjeje, vetëm në harkun kohor të një viti, në të njëjtën kohë arrijmë të programojmë investime publike në nivelin prej mbi 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, u shpreh ministri Arben Ahmetaj.

Por opozita thotë se, në vitin 2013 ajo e la borxhin e vendit në 63 për qind.
“Sesi mund të jeni krenarë që vini e thoni se nga 63% e çuat në 73% borxhin, vetëm ju dhe propaganda e qeverisë tuaj mund ta bëjë këtë”, reagoi Jorida Tabaku, deputete demokrate.

Por ministri i Financave tha se, shkaku për rritjen e borxhit ishin 725 milionë dollarë detyrimet e prapambetura që la qeveria e Partisë Demokratike.

“Kjo qeveri ka 3 vite rresht që jo vetëm nuk krijon borxh të ri, por kursen për të paguar borxhin e krijuar ndër vite e vite”, theksoi Ahmetaj.

“Prandaj po detyrohesh dhe po krijon kontrata koncesioni, sepse je i paaftë të investosh. Prandaj po detyrohesh dhe po i lë qeverisë së Partisë Demokratike nesër, një borxh të tillë”, u kundërpërgjigj Tabaku.

/TCH/