Published On: Mon, Nov 6th, 2017

Zyrtarizohet oferta për Rrugën e Arbrit, 33.6 miliardë lekë për ndërtimin

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi pak ditë më parë se Gjoka Konstruksion ishte kompania që kishte plotësuar kushtet e dokumentacionit tekniko-ligjor, si dhe një ofertë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Në njoftimin zyrtar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik bëhet me dije se oferta e bërë nga Gjoka Konstuksion është 33.6 miliardë lekë një shifër e lakuar edhe më herët, por e zyrtarizuar tashmë me vendimin.

Njoftimi në APP

Në njoftim Ministria bën me dije arsyet e skualifikimit të dy operatorëve të tjerë : “Arsyet e skualifikimit: Operatori Ekonomik “Adem Pojani” nuk plotëson asnjë nga kriteret e kualifikimit, si dhe nuk ka paraqitur ofertë financiare; Arsyet e skualifikimit: Operatori Ekonomik “Alb-Star” sh.p.k. nuk plotëson kriteret e kualifikimit, si dhe nuk ka paraqitur ofertë financiare” thuhet në njoftim. Gjoka Konstruksion që është shpallur edhe si oferta fituese duhet që brenda datës 20 nëntor të paraqesë dokumentet e kërkuara për të vijuar më pas me procedurat e tjera të negocimit dhe nënshkrimit të kontratës. /Monitor/