Published On: Mon, Nov 6th, 2017

Aksioni per ujin, ja masat dhe penalizimet per abuzuesit

Nga sot qeveria shqiptare nis aksionin kundër vjedhjes së ujit të pijshëm dhe abuzimeve apo mos pagimit të faturave.

Kushdo që kërkon të presë lidhjet dhe të marrë ujë normalisht, përmes kontratave, ka mundësinë ta bëjë këtë brenda 3 muajve, ndërkohë që më pas do të penalizohet ligjërisht.

Kryeministri Edi Rama, i bëri një thirrje publike për konsumatorët që furnizohen me ujë që të vetërregullojnë situatën dhe lidhin kontratat brenda 90 ditëve. “Njëkohësisht do të nisë prerja e lidhjeve të paligjshme pa penalizime në këtë periudhë tranzitore, për të vazhduar në shkurt me kontrollin derë më derë dhe penalizimet ligjore për çdo vjedhje të ujit”, tha ai.

Rama dha një shifër të lartë të strategjive që janë ndjekur nga qeveritë shqiptare ndër vite, dhe tha se ato kanë shërbyer vetëm për të vjelë fonde dhe jo për të kryer operacionet në terren.

“Në 23 vjet 27 strategji kombëtare për ujin, që tregon se një pjesë e tyre thjesht janë financuar dhe njeri s’ka marrë vesh se çfarë po financon dhe është bërë në mungesë të plotë koordinimi vet brenda për brenda qeverive. Që si ka lexuar askush tjetër përveç autorëve”, tha Rama.

Ndërkohë, ministri Damian Gjiknuri tha se deri në fillim të 2018-ës, do të veprohet me fazën e parë e cila është ajo e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe bizneseve për të mos vjedhur ujin.

Në 3 litra ujë tha GJiknuri – vetëm 1 litër ujë faturohet, pjesa tjetër vidhet. Objektivi i këtij aksioni sipas ministrit është që të gjithë abonentët të kenë kontrata dhe matësa dhe të paguajnë detyrimet.

Faza e dytë, që quhet ajo e shtrëngimit, nis në fillim të 2018-ës, dhe do të ketë verifikime derë më derë në terren në familje dhe në biznese. Nëse do të verifikohen lidhje të paligjshme të ujit, ato jo vetëm do të ndërpriten por do të ketë edhe procedime penale. Gjiknuri tha se do të penalizohet fillimisht punonjësi i ujësjellësit, pastaj qytetarët abuzues.

“Operacioni do ketë fazën e parë të reflektimit. Qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë fazë për t’iu rikthyer ligjshmërisë. Objektivi i parë i operacionit do jetë respektimi i ligjit nga nëpunësit e shtetit. S’do ketë asnjë tolerim. Objektivi i dytë do jetë biznesi, s’do mbetet pa verifikim çdo abonent. Faza tjetër e operacionit është ajo e shtrëngimit, që nis vitin e ardhshëm dhe do shkojë derë më derë. Do ketë procedim penal, i pari do ndëshkohet punonjësi i ujësjellësit”, tha Gjiknuri.