Published On: Mon, Nov 6th, 2017

Kriza më e rëndë, e 20 viteve të ardhshme

Dhjetëra milionë njerëz do të detyrohen të lënë shtëpitë e tyre nga ndryshimet klimatike në dekadën e ardhshme, duke krijuar krizën më të madhe të refugjatëve që bota ka parë ndonjëherë, sipas një raporti të ri.

Ekspertët e lartë ushtarakë dhe të sigurisë amerikane i kanë thënë Fondacionit për Drejtësinë e Mjedisit (FDM) se numri i refugjatëve të klimës do t’i bëjë të duken shumë pak, ata që kanë ikur nga konflikti sirian, duke sjellë sfida të mëdha për Evropën.
“Nëse Evropa mendon se ka një problem me migracionin sot … prisni 20 vjet”, tha gjenerali në pension i trupave amerikane, Stephen Cheney. “Shihni se çfarë do të ndodhë, kur ndryshimet klimatike të nxisin njerëzit të lënë Afrikën – sidomos Sahelin [Afrika nën-Sahariane] – dhe po flasim jo vetëm një ose dy milionë, por 10 apo 20 milionë. Ata nuk do të shkojnë në Afrikën Jugore, ata do të shkojnë në Mesdhe”.

Studimi i publikuar të enjten u bën thirrje qeverive të bien dakord për një kuadër të ri ligjor për të mbrojtur refugjatët e klimës dhe, përpara takimit të ardhshëm të klimës në Gjermani, u kërkon krerëve të shteteve, që të bëjnë më shumë për të zbatuar objektivat e vendosura në marrëveshjen e klimës së Parisit.

Sir David King, ish këshilltari kryesor shkencor i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, i tha FDM: “Po flasim për një kërcënim ekzistencial për qytetërimin tonë në një afat më të gjatë. Në terma afatshkurtër, mbart gjithashtu rreziqe të të gjitha llojeve dhe kërkon një përgjigje njerëzore, në një shkallë që nuk është arritur kurrë më parë”.

Raporti argumenton se ndryshimi i klimës ka luajtur një rol në shkaktimin e luftës siriane, me thatësira të njëpasnjëshme duke bërë që 1.5 milion njerëz të emigrojnë në qytetet e vendit midis viteve 2006 dhe 2011. Shumë prej këtyre njerëzve nuk kishin qasje të qëndrueshme në ushqim, ujë ose punë.

“Ndryshimi klimatik është përbërësi i paparashikueshëm që, kur u shtohet tensioneve ekzistuese shoqërore, ekonomike dhe politike, ka potencialin që të ndezë dhunën dhe konfliktet, me pasoja katastrofike për të gjithë”, tha drejtori ekzekutiv i FDM, Steve Trent.

“Në botën tonë që ndryshon me shpejtësi marramendëse, ndryshimet klimatike – dhe potenciali i tyre për të shkaktuar konflikte dhe migrime masive – duhet të konsiderohen një prioritet urgjent, për politikëbërësit dhe liderët e biznesit”. / The Guardian – Bota.al