Published On: Fri, Oct 27th, 2017

Hapet dosja Kennedy: ‘Ndonjë gjeneral do hapë luftë bërthamore’

Shtetet e Bashkuara kanë hapur dosjen e presidentit të ndjerë, John F. Kennedy.

Më shumë se 2800 dokumente janë bërë publike nga Arkiva Kombëtare të enjten në mbrëmje.

Por Presidenti Donald Trump ka mbajtur të paktën 300 dokumente, të cilat do të përpunohen për të mbajtur sekret disa të dhëna.

Në dokumentet e FBI del në pah reagimi i Bashkimit Sovjetik ndaj vrasjes së presidentit amerikan.

Edhe sovjetikët ishin të fiksuar shumë pas teorive konspirative pas vdekjes së presidentit.

Sovjetikët mendonin se mund të ishte një komplot i mirëorganizuar nga ultra-të djathtët në SHBA.

Qëllimi ishte realizimi i një grushti shteti.

Bashkimi Sovjetik druhej se SHBA mund t’i fajësonte ata për këtë vrasje.

“Pa një lider, ndonjë gjeneral i papërgjegjshëm në SHBA mund të nisë ndonjë raketë bërthamore ndaj Bashkimit Sovjetik,” druheshin komunistët.

Sipas sovjetikëve, Lee Harvey Oswald, personi që u akuzua për vrasjen e presidentit, është një maniak neurotik.

Presidenti amerikan u qëllua në kokë kur ishte në një limuzinë të hapur në Dallas më 22 nëntor 1963.

Teori të shumta konspirative kanë rrethuar këtë ngjarje.

Historianë, gazetarë e të apasionuar pas kësaj ngjarjeje shpresojnë të gjejnë tek dokumentet e publikuara ndonjë detaj më shumë mbi udhëtimin e Lee Harvey Oswald në Mexico City, ku mendohet se u takua me agjentë rusë e kubanë dy muaj përpara atentatit të Kennedy.

Oswald, i cili kishte qenë i arratisur në Bashkimin Sovjetik, nuk pranoi ta kishte qëlluar Presidentin dhe dy ditë pas episodit u vra nga Jack Ruby, pronar i një klubi nate, duke shtuar kështu frikën se bëhej fjalë për një komplot.