Published On: Mon, Oct 23rd, 2017

Zbardhet raporti 22 faqe i PD dhe LSI për kërkesën e Prokurorisë në çështjen “Tahiri”

Partia Demokratike dhe LSI kanë hartuar një raport prej 22 faqësh, në të cilën kërkon pranimin e kërkesës së prokurorisë për hetimin dhe arrestimin e deputetit Saimir Tahiri.

Pas shqyrtimit të akteve dhe diskutimit të çështjes, thuhet në draftin që do të kërkohet të votohet të mërkurën, anëtarë të Këshillit për Imunitetin, konkluduan se Seanca Plenare e Kuvendit, duhet t’i rekomandohet miratimi i dhënies së autorizimit për “Arrestimin ose heqjen e lirisë, si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetit Saimir Tahiri.

Opozita bën një pasqyrë të zhvillimeve kur në Tetor 2017 në Itali është arrestuar Moisi Habilaj dhe disa shtetas të tjerë, të dyshuar për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Ndërkohë, opozita shton se faktet e grumbulluara nga autoritetet italiane u bënë publike nga mediat italiane dhe patën jehonë të gjerë edhe në opinionin publik në Shqipëri me raportin 140 faqesh të përgjimeve ku të akuzuarit përmendnin dhe emrin e Sajmir Tahirit.

“4 vjet kishin zhvilluar qetesisht trafikun ndërkombëtar të drogës, për bisedat midis familjarëve Habilaj dhe anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, që dëshmonin për kontakte të shpeshta me deputetin Saimir Tahiri dhe për lidhje të ngushta me të, gjer tek dhënia e dhuratave dhe e shpërblimeve të paligjshme, për vehtën, familajrët dhe partinë politike të tij që t’i përdorte për zgjedhje, si pasojë e krijimit prej tij të mbështetjes dhe lehtësimit për trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve.
Po ashtu në raportin e PD- LSI thuhet se:
Vllezërit Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë patur lidhje të ngushta me deputetin Saimir Tahiri dhe duke përfituar nga këto lidhje të ngushta dhe përmes shpërblimeve, kanë arritur të bëjnë të mundur, krijimin e kushteve për kultivimin në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike në Shqipëri, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë shtetit, me skafe, peshkarexha dhe automjete, nder te tjera makina Audi me targe AA003GB.

Gjithashtu opozita shprehet se Deputeti Saimir Tahiri ka siguruar paprekshmërinë e grupit të strukturuar kriminal.
E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit të strukturuar kriminal, me strukturat e policisë së shtetit, kryesisht ato të Drejtorisë së Qarkut Vlorë, por jo vetëm. Ky bashkëpunim është realizuar, nisur nga fakti se deputeti Saimir Tahiri, kontrollonte dhe drejtonte shërbimet e policisë së Shtetit, për shkak të funksionit që ushtronte në atë kohë, pikërisht atë të Ministrit të Brendshëm.

Edhe një herë në vëmendje sillet shitja e makinës së Tahirit te Habilajt, që për PD tregon favorizimin e grupit kriminal. Sa i përket qëndrimeve të mazhorancës opozitarët shtojnë se Ligji nuk kërkon që Kuvendi në procedurën e dhënies së autorizimit të vlerësojë cilësinë e provave apo shkallën e besueshmërisë së tyre.

Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare./Oranews/