Published On: Sun, Oct 22nd, 2017

Çfarë po ndodh me Shqipërinë, 20% më pak ujë

Nëse ka diçka që Shqipëria e ka me bollëk në raport me sipërfaqen territoriale që ka kjo është pjesa e burimeve ujore. Por përtej këtij bollëku duket se ajo që na mungon është mirëmenaxhimi. Në zhvillimet e dekadës së fundit na ka munguar pikërisht kjo kryefjalë.

Por ekspertët e sektorit vënë theksin tek rritja e vigjilencës, pasi mungesa e menaxhimit mund të na kushtojë shumë dhe jo vetëm prej faktit se ndryshimet klimatike po luajnë rol në rritjen e ekstremiteteve të sasive në burimet ujore, por edhe sepse projeksionet tregojnë se po shkojmë drejt pakësimit.

Inxhinieri hidroteknik i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Klodian Zaimi, shpjegon se është pikërisht kjo tendenca që shfaqin burimet ujore në Shqipëri sipas parashikimeve. Gjasat janë që të kemi 20% sasi uji më pak dhe prurje më ekstreme në dimër dhe shumë më të ulëta në verë. Ndërtimi i hidrocentraleve, ndërhyrjet nga dora e njeriut kanë rolin e tyre në mënyrën sesi natyra sillet me njerëzit, por kryesor mbetet monitorimi i burimeve dhe ndjekja nga afër e ndryshimeve, duke krijuar hartat e rrezikut që minimizojnë dëmet në çdo rast.

Në çfarë faze ndodhen sot studimet hidrologjike në Shqipëri? Ku jemi me burimet ujore, kemi më shumë apo më pak. Kemi menaxhuar mirë apo keq?

Burimet ujore janë të konsiderueshme, sepse si sipërfaqe territoriale ne jemi mbi 28 mijë metra katrorë, por si sipërfaqe ujore, pra ujërat që futen në territorin tonë, janë dyfishi i sipërfaqes sonë territoriale. Prandaj sa u përket burimeve ujore, mund të themi që jemi një shtet i pasur. Pas Çlirimit filluam të kemi studime të mirëfillta për të studiuar gjithë trupat ujorë që janë brenda territorit shqiptar. Është bërë një punë e konsiderueshme, pasi deri pas Luftës së Dytë Botërore nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të bërë studime të tilla.

Pra, për të bërë studime duhet të kesh një seri të gjatë të dhënash. Dhe të arrish të parashikosh me saktësi të mjaftueshme, duhet të kesh të dhëna që kanë seri 20-30-vjeçare të monitorimit të ujit dhe klimës, që s’ka qenë e mundur në ato periudha, ndaj themi që dhe studimet e para të bazuara me të dhëna me afate të gjata kohore kanë filluar rreth viteve ‘70. Në atë kohë kemi pasur një studim tërësor për hidrologjinë e Shqipërisë që ka qenë ajo e botimit në vitin 1984 nga Akademia e Shkencave e ish-Institutit Meteorologjik.

Por nuk është se puna ka ndaluar për kërkimin dhe nuk janë vetëm këto studime, ka shumë të tjerë nga autorë të ndryshëm për burimet ujore, si për shfrytëzimin e tyre, por edhe për problematikën që shfaqin, sepse shihen dy anët e medaljes, shfrytëzim-përfitimi por edhe rreziku. Në Shqipëri, për vetë veçoritë karakteristike të relievit, fatmirësisht kemi ujë por fatkeqësisht lumenjtë tanë janë problematikë, për arsye se pjerrësitë e tyre, vijnë direkt nga pjesa malore dhe ulen në pjesën fushore ku bëhen disi të rrëmbyeshëm dhe krijojnë probleme.

Kjo aq më tepër që pas viteve ’90, kur pjesa e Ultësirës Perëndimore, ka ndërtime të shumta me funksion banimi. Mund të themi që studimet kanë vazhduar edhe pas viteve ’90 por kanë qenë autorë të ndryshëm dhe në bazë projektesh. Më tepër janë studime të thelluara për burime të veçanta, por jo tërësore për Shqipërinë, sepse nuk ka qenë nevoja për t’u bërë një studim momental, por në bazë të interesave të ndryshme.

Tjetër arsye pse nuk është bërë një vlerësim i tillë është fakti që ka një mosinteresim për monitorimin në investime, në lidhje me monitorimin e parametrave hidrologjikë dhe klimatikë. Duke u matur si trupa ujorë dhe si sipërfaqe hidrografike duke u krahasuar me një vend si Italia dhe që bën një monitorim të pranueshëm në standardin e Komunitetit Europian, ne do na duheshin të investonim 3-5 milionë euro në vit. Në fakt, investimet tona për monitorimin pas viteve ’90 kanë qenë të papërfillshme

Si kanë ndryshuar burimet ujore nën presionin e ndryshimeve klimatike, a ka nevojë për rivlerësim? Kemi më shumë apo më pak dhe si janë menaxhuar?

Në lidhje me sasitë, ka studime të ndryshime prandaj kjo është e vështirë për t’u bërë në rang tërësor, por për trupa ujorë të caktuara, është bërë një vlerësim ku ka pasur luhatjet e veta të shtimit dhe të uljes së prurjeve. Kryesisht nga studimet e fundit dhe për pozicionin ku ndodhet Shqipëria, tendenca e gjithë resurseve ujore brenda territorit është për një ulje të sasisë së prurjes ujore deri në 20% në totalin e tyre.

Jo vetëm në sasi ato shfaqin elemente të uljes së prurjes, por nga ana tjetër shfaqin më shumë ekstreme të thatësirës dhe përmbytjeve. Kjo mendohet që është si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe efekteve të para që janë vërejtur, por gjithsesi shihet në tendencë dhe në projeksion.

Ka disa projeksione për vitin 2030, 2050 dhe 2100 që parashikohet me këtë drejtim pra, ulje dhe rritje të ekstremitetit që do të thotë menaxhimi i tyre është më i vështirë dhe popullsia e rrezikuar mund të jetë më e madhe për shkak të rritjes së prurjeve maksimale në disa nga lumenjtë e përrenjtë e vendit, çka do të thotë që menaxhimi i tyre do të jetë më i vështirë për shkak të ekstremiteteve.

Si është menaxhuar deri tani kjo pjesë?

Për fat të keq nuk mund të themi që kemi pasur një menaxhim të mirëfilltë të burimeve ujore. Si çdo pasuri tjetër, pasuria ujore është një pasuri që duhet shfrytëzuar dhe menaxhuar, por që në vendin tonë është shfrytëzuar, por jo duke pasur plane menaxheriale të këtyre burimeve. Tani kanë filluar disa projekte me Bankën Botërore, sidomos për pjesën e lumit Drin-Buna dhe të Semanit, ku po bëhen projektet e para të studimit për t’u menaxhuar në mënyrë të integruar. Kjo sepse shfrytëzim kemi, por të bësh një ekonomi ujore si mundet ta shfrytëzosh këtë ujë, për qëllimet që t’i duhen ekonomisë dhe njerëzve jo.

Projeksionet që bëhen lidhur me të ardhmen e burimeve hidrike janë bërë nga Shqipëria, apo janë parë nga institucione më të specializuara dhe në nivel më të gjerë?

Të gjitha këto vlerësime për resurset ujore bëhen rajonale lidhur me ndikimin e kushteve klimatike pastaj dhe globale. Të gjitha këto lloj projeksionesh shfrytëzojnë bazën e të dhënave lokale, por llogaritjet finale bëhen në një rajon më të gjerë dhe pritshmëritë janë të gjitha këto që vërejmë dhe thamë pak më parë, që do të kemi ulje të sasisë totale, por rritje të ekstremeve.

Gjithsesi institucionet dhe vendet mund të bëjnë rivlerësime të projeksioneve duke përfshirë edhe të dhëna më të fundit apo teknologji të përparuar dhe secila metodë të jep vlerësime të ndryshme, por ajo që ka rendësi është tendenca sepse nuk ka asnjë lloj modeli që mund të jetë 100% i besueshëm. Ato mund të japin vlera nga më të ndryshmet por tendenca e gjithë modeleve është në të njëjtin drejtim dhe ato përkojnë me këtë lloj përfundimi edhe për Shqipërinë që në të ardhmen do të kemi më pak sasi ujore, ndaj duhet të jemi më të kujdesshëm duke bërë një planifikim sa më të mirë dhe një menaxhim edhe më të mirë.

Cilat janë efektet që kanë dhënë tek burimet ujore ndërhyrjet në shtretërit e lumenjve ose për hidrocentrale ose për inerte?

Kur flasim për pjesën e hidrocentraleve, problemi më i madh është ai i menaxhimit të integruar. Si fillim kur bëhet plani i një baseni ujor, duhet parashikuar edhe një plan menaxherial që ti të dish si do të shfrytëzosh ujin, pra një zhvillim i integruar. Kjo ka të bëjë me planifikimin e së ardhmes dhe se kujt i shërben më shumë shfrytëzimi, industrisë së asaj zone, bujqësisë, apo prodhimit të energjisë nga një hidrocentral.

Asnjëherë nuk mund të them që shfrytëzimi i burimeve ujore sidomos për hidroenergji është i gabuar ose mund të rezultojë jo fizibël. Kur bëhet projekti i një hidrocentrali qoftë i vogël, qoftë i mesëm ose i madh, në degë apo lumë kryesor, i merr parasysh të gjitha këto kosto, qoftë dhe për prodhim apo mosprodhim, sepse edhe projekti ecën mbi projeksione mesatare duke marrë parasysh vitin më të lagësht dhe vitin më të thatë. Duke marrë parasysh edhe këto lloj luhatjesh, ka një lloj bilanci, ku bëhet një parashikim, nëse ia vlen të investosh apo jo. Por në të gjitha rastet, besoj për hidroenergjinë investimi nuk është se të del jofleksibël.

Por që duhet pasur parasysh që edhe periudha e shfrytëzimit të tyre mund të jetë e limituar. Projeksionet për ndryshimet klimatike dhe ndikimin bëhen deri në 2050, ndoshta edhe më tepër, ndërsa këto hidrocentrale pritshmërinë për kthimin e investimit dhe më pas edhe jetëgjatësinë e kanë më të vogël. Tipikisht kthimi varion nga 2-5 vjet për hidrocentralet e vogla deri në 7 vjet nëse HEC-i do të jetë i madh. Pra, gjithnjë janë fizibël për të investuar sepse kemi një periudhë kthimi goxha të shpejtë, por që duhet marrë parasysh edhe këto ndryshime klimatike që do të kemi zvogëlim të prurjeve dhe që do të reflektojë edhe në prodhimin e energjisë.

Ndërsa në sasi, këto nuk është se kanë efekt sepse HEC-et e vogla janë me skemën e derivacionit, pra thjesht e marrin në një pikë dhe e shkarkojnë në një pikë më poshtë, duke shfrytëzuar lartësinë dhe presionin e ujit për të prodhuar energji dhe nuk është se devijojnë sasinë ujore, duke i shtuar apo duke i ulur. Ndërsa skemat e tjera që mund të jenë me diga, kryesisht ato që kemi parë ne, janë me diga të vogla, nuk është se ka pasur më diga të mëdha përveç atyre që janë ndërtuar në Drin, që lejojnë një menaxhim ujor njëvjeçar apo dyvjeçar, po të menaxhohet ashtu siç duhet. Nuk është se ka ndonjë ndikim por të kërkohet një monitorim.

Nga ana tjetër është shtuar shumë edhe pjesa e rrezikut nga përmbytjet, sepse një fakt është rritja e regjimit ujor pra e rritjes së këtyre prurjeve maksimale që shkaktojnë përmbytje. Kemi shira më intensive në kohë të shkurtër, që shkaktojë prurje më të mëdha. Digat gjithnjë kanë bërë studime edhe sot në kuadër të projekteve të Bankës Botërore, duke bërë rivlerësime të këtyre ekstremiteteve. Kanë goxha informacion, sidomos për pjesën e Drinit.

Problem është pjesa tjetër e vendit dhe në kuadër të këtyre problemeve, kemi një projekt tjetër me Bashkimin Europian. Po bëhet një rivlerësim për pjesën e rrezikut nga përmbytjet që do të kenë lumenjtë e tjerë. Projekti pritet të përfundojë pas dy vitesh bashkë me hallkat e rrezikut, ku rrezikojmë në Ultësirën Perëndimore. Këto pastaj do të jenë shumë të nevojshme në kuadër të zhvillimit urban apo menaxhimit të përmbytjeve dhe emergjencave civile dhe do të jenë fillimi drejt këtyre direktivave të Bashkimit Europian për t’ju përshtatur legjislacionit dhe në kuadër të aderimit tonë në këtë komunitet.

Çfarë masash duhen për të mbrojtur pasuritë ujore dhe rrezikun e shtuar nga përmbytjet?

Në vendin tonë ne kemi pasur harta të krijimit të përmbytjeve por jo harta të mirëfillta të rrezikut nga përmbytjet sepse është tjetër koncept hartë përmbytjeje dhe rreziku nga përmbytjet.

Rreziku nga përmbytjet ka disa veçori që lidhen me rrezikun e popullatës, të ekonomisë, të planit menaxherial, si duhet të veprojnë emergjencat civile të këtyre hartave të rrezikut dhe janë një lloj standardi që është i aplikuar në Bashkimin Europian. Është hera e parë që po bëjmë diçka të tillë për gjithë territorin, sepse kishim bërë për Shkodrën deri më sot, meqë ajo u shfaq problematike edhe pas 2010.

Kemi përfunduar fazën me GIZ, që u mbyll me krijimin e këtyre hartave të rrezikut, kurse pjesa tjetër e territorit nuk ka qenë e mbuluar, prandaj brenda dy viteve në presim që të kemi këto harta. Këtë po e bën instituti në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Europian dhe me ekspertë të tjerë.

Projekti sapo ka filluar dhe jemi ende në fazën e mbledhjes së të dhënave. Janë në fokus gjithë lumenjtë që përmbytin Ultësirën Perëndimore. Të gjitha këto do të kenë hartat e rrezikut nga përmbytjet./Monitor