Published On: Mon, Oct 16th, 2017

Renditja e FIFA-s: Shqipëria humbet 5 vende, Kosova fiton 1…

Kombëtarja shqiptare e futbollit luajti dy kualifikueset e fundit në Grupin G, për Botërorin “Rusia 2018”, të cilat i humbi ndaj Spanjës dhe Italisë, respektivisht në Alicante dhe Shkodër.

Duket se këto dy humbje kanë ndikuar në renditjen mujore të tetorit, të publikuar nga FIFA. Më konkretisht, kuqezinjtë e drejtuar nga Christian Panuçi e shohin veten në vendin e 71-të, me 551 pikë, duke humbur 5 vende krahasuar me muajin shtator, ku pozicionoheshin në vendin e 66-të, me 583 pikë.

Krahasuar me muajin gusht, kombëtarja shqiptare ka humbur 8 vende në këtë renditje.

Ndërkohë, kombëtarja e futbollit të Kosovës, pavarësisht dy humbeve të fundit me Ukrainën dhe Islandën, ka fituar një vend në renditjen e FIFA-s për tetorin.

Kosova renditet e 183-ta dhe ka vetëm 67 pikë, duke mbetur pas kombëtareve, si Malta, Bermuda, Macau, Kubës, Aruba-s, Nepalit, São Tomé e Príncipe, Fiji, St. Lucia etj.