Published On: Fri, Oct 13th, 2017

Edhe me PS edhe me PD, i arrestuari që tronditi politikën dhe shkaktoi debatet në Kuvend (foto)

Kuvendi u përfshi sot nga debatet, ku opozita akuzoi kryeministrin për lidhje me krimin. Madje, kreu i saj, Lulzim Basha publikoi një foto të të arrestuarit Durim Keçi, që shfaqej në krah të kryeministrit Edi rama dhe kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Basha e denoncoi personin në fjalë si të lidhur politikisht me Partinë Socialiste madje dispononte edhe fotot të tij me eksponentë të së majtës duke dhënë kontribute ne zyrat e partisë për zgjedhjet e 2013-ës, kur koordinator për çështjet zgjedhore në qarkun e Durrësit ishte Blendi Klosi, me të cilin kishte edhe një foto.

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Edi Ramës, që për të njëjtin person tha se ka dalë në “çadrën e lirisë”, e cila u ngrit për disa muaj përpara godinës së qeverisë.

“Çfarë i keni këto muhabetet me foto? Po personi që ju flisni ka dalë duke pozuar në çadër dhe çfarë duhet të them unë se ky po priste republikën e re? Jo, ai aty ishte që të pozonte me deputetët e PD-së”, tha Rama.

Deklarata e kryeministrit nuk është pasuar nga ndonjë reagim i kreut demokrat, ndonëse gjatë seancës për çdo fjali të Ramës kishte një replikë nga Basha.

Durim Keçi është arrestuar në Durrës pak ditë më parë, pasi rezultonte se drejtësia italiane ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike, shkatërrim prone dhe armëmbajtje pa leje. Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, pasi rezulton në kërkim nga drejtësia italiane, i cili ka për të dhënë llogari për veprat e tij para organeve të drejtësisë italiane.

Durim Keçi 42 vjeç, lindur në Shijak dhe banues në Durrës, është dënuar nga Gjykata e Genovas me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale, ”Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, ” Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike“, ” Krime me armë kundër personit”, ” Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe” Shfrytëzim prostitucioni”.