Published On: Fri, Oct 13th, 2017

Rama i përgjigjet akuzave të opozitës: s´jam as bos, as trafikant droge, jeni komplet bosh para dhe prapa (batutat)

“Shqiptarët na votuan të qeverisim të vetëm jo se ne bëmë mrekulli, pasi edhe ne kemi gabimet tona, nuk bëmë aq sa duhet jo vetëm për shkak se ishim me LSI-në, por ne dimë të mbajmë përgjegjësi. Dhe për sa kohë ne do të mbajmë përgjegjësi, ne do të vazhdojmë të qeverisim, ndërsa ju do të drejtoni njëri-tjetrin. Ne nuk fitojmë se jemi të pakonkurrueshëm, por sepse ju nuk jeni fare në garë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në seancën parlamentare, ndërsa ka bërë një sulm frontal dhe akuza të forta ndaj dy partive opozitare, PD dhe LSI-së.

Duke iu drejtuar opozitës, Rama tha ““jeni komplet bosh, bosh lart e bosh poshtë, bosh para e bosh mbrapa”.

Rama u shpreh se ju sot nuk mbani përgjegjësi për Partinë Demokratike, jo më të mbani përgjegjësi për Shqipërinë. “Ju vazhdoni me anglishten tuaj dhe mos lini rast pa nxirë Shqipërinë, thoni nga mëngjesi deri në darkë mafia, krimi, droga, dhe keni 18 vjet që bëni akuza ndaj meje, por po ju them se unë s´kam asnjë lidhje me ato që ju flisni dhe akuzoni. Unë s’jam aspak përdorues as shitës as trafikant as bos i trafikut të drogës, juve ju duhen këto, përdorini, jepini, dhe shpresoni që shqiptarët të jenë budallentjë që nuk janë. Unë nuk jam as duarlidhur nga ndonjë lidhje me krimin dhe s’kam pasur asnjë lidhje me ato që keni thënë ju, keni 18 vjet që më keni futur në kallëpin e asaj bote dhe ja ku më keni këtu, se ata që ju dëgjojnë nuk janë budallenj”, tha Rama.

Sipas tij, vizioni i opozitës sot është laj, thaj, laj, ndërsa programi juaj është laj thaj kanatieren e sulmuesit Sali Berisha. “Ju çfarë po bëni sot: laj, thaj, arno dhe i thoni lojtarëve dilni në fushë dhe merruni me këmbët e kundërshtarit, se topin e shohim njëherë tjetër”, theksoi Rama.

Referuar bllokimit të seancave në Kuvend, Rama bëri një paralelizëm mes çadrës së vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pak muaj para zgjedhjeve dhe çadrës që po tentohet të ngrihet në Kuvend.

“Javën e  shkuar u mor peng kjo foltore për medemek ndalimin e diskutimit që donit. Duke u cjerrë për mungesën e lirisë dhe ne jemi këtu bashkë të kyçur në kornizën e kërkesës suaj, faktikisht ju nuk e bëni dot këtë diskutim.

Jeni bërë shëmbëlltyra e shprehjes së famshme, kush nuk di ta përdorë lirinë e fjalës ankohet për mungesën e saj dhe sa më të paaftë janë politikanët në kushtet e lirisë për ta përdorur lirinë e fjalës aq më shumë cirren se i mungon liria.

Na keni përfshirë në një kthim tuajin me daulle e krisma në çadrën e konfliktit të sherrit dhe të baltës. Sa më i madh është halli juaj aq më për qejf ju lexoni raportet ndërkombetare për tu treguar shqiptarëve se cfarë mënxyre jemi ne shumica e zgjehdur prej tyre, e vërteta është edhe në raport, e shkruar qartë si drita e diellit se në 25 qershor shqiptarët votuan me një qartësi që nuk lë asnjë vend për të diskutuar rezultat, procesi zgjedhor e thotë raporti ishte në përputhje të plotë me rekomandimet dhe standardet”, tha Rama.