Published On: Fri, Oct 13th, 2017

Bushati-Vasilit: kur ishe ministër i Drejtësisë nuk kishe vërejtje për pr/ligjin e pakicave kombëtare

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka replikuar me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, lidhur me pr/ligjin për pakicat etnike që po diskutohet në Kuvend.

Bushati, u shpreh se Vasili ka pasur mendim tjetër kur ai ishte ministër i Drejtësisë, duke qenë pro këtij pr/ligji.

“Kur ishte ministri i Drejtësisë kolegu u shpreh në favor të ligjit ku ishte anëtar i kabinetit qeveritar. Nuk kishte asnjë pakënaqësi. Është krejt normale kur njeriu kalon nga njëra anë në anën tjetër të tavolinës të ndryshojë mendimin. Dje një koleg tjetër foli me tone kritike për censusin, ndërsa sot një koleg e mburri. Konventa kuadër të Këshillit të Europës përcakton qartë këtë ligj. Nuk ka koncept zonash minoritare. Nuk ka zonë minoritare. Sot për sot mbi bazën e standardeve ndërkombëtare, konventa flet për ato koncepte që pasqyrohen besnikërisht në ligj. Njoha e minoriteteve në këtë ligj nuk do të thotë se këto pakica kanë të njëjtën karakteristikë dhe të njëjtat të drejta dhe s’kanë dallime mes tyre.”, tha Bushati.

Po ashtu, ministri Bushati, sqaroi se nga të dhënat e censusit, është dalë në konkluzion se pakicat etnike janë një fakt.

“Ky pr.ligj është firmosur nga 4 ministra dhe sot vijnë këtu për të luajtur me këtë çështje. Nëse ligji për konsultim publik kërkon që një projekt të qëndrojë 20 ditë në tabelën e konsultimit ky pr/ligj ka qëndruar 40 ditë. Në këtë dokument janë të listuar të gjitha qëndrimet me ekspertët dhe tani thuhet të mos e miratojmë sot po të presim. Cili është standardi tjetër? Të dhënat e censusit janë të qarta, pakicat etnike janë më pak se 2%. Të vish këtu dhe të kesh fobi dhe të dëshmosh fobi ndaj pakicave dhe konventës kuadër që i trajton të gjitha nuk do të thotë që ato janë të barabarta. Pakicat etnike janë fakt. Boshti orientues i debatit të sotëm duhet të jetë tradita jonë dhe kushtetuta shqiptare”, tha Bushati.