Published On: Thu, Oct 12th, 2017

Indeksi i urisë 2017: Shqipëria e fundit në rajon, megjithëse ka fituar 5 vende…

Institutit ndërkombëtar i politikave dhe kërkimit ushqimor ka publikuar së fundmi “Indeksin e urisë 2017”, duke marrë në vlerësim 119 vende, mes të cilave edhe Shqipërinë.

Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet një ndër 10 vendet europiane të ekspozuara, duke u renditur e fundit në rajon, pas Maqedonisë, Bosnjes, Malit të Zi apo Serbisë.

Këtë fakt e ilustron mjaft mirë edhe harta, ku ngjyra jeshile e hapur tregon një nivel të moderuar të urisë, ndërkohë që ngjyra e gjelbër tregon një nivel të ulët të urisë.

Në raportin e këtij viti, Shqipëria renditet e 48-ta në botë, dhe paçka se mbetet e fundit në Europë, pranë vendeve të botës së tretë, raporton scan.

Shqipëria ka bërë një përmirësim me pesë pozicione në krahasim me raportin e vitit të kaluar, kur renditej e 53-ta.

Pjesë e raportit janë ekonomi jo shumë të zhvilluara, ndërkohë që pjesën dërrmuese e zënë vendet e cilësuara ndryshe si të botës së tretë. Pavarësisht renditjes, raporti tregon se në krahasim me vitin 2008 janë bërë progrese të dukshme.

Me një indeksim ku norma më e lartë tregon performancë më të dobët, Shqipëria në vitin 2017 grumbullon 11.1 pikë nga 11.8 pikë që grumbullonte në vitin 2016.