Published On: Wed, Oct 11th, 2017

Zjarret në Kaliforni, 15 persona të vdekur dhe mbi 100 të plagosur

Shumë viktima dhe shumë të zhdukur. Është ky bilanci tragjik si rezultat i zjarreve që kanë përfshirë rajonin e Kalifornisë, i njohur për prodhimin e verës.

Nga të dhënat mësohet se të paktën 15 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që mbi 2000 struktura janë shkatërruar.

Autoritetet vlerësojnë se 17 vatra zjarri,  grupi i parë i të cilave nisi mbrëmjen e së dielës, kanë djegur mbi 115 mijë hektarë përgjatë 8 konteve.

Të paktën 100 persona janë të plagosurit dhe autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet.

Gjendja e emergjencës u shpall në zonat veriore dhe mbi 20 mijë vetë u detyruan të evakuohen nga kontetë e Napa-s, Sonoma-s dhe Juba-s, si pasojë e zjarreve më të rënda që ka përjetuar ndonjëherë shteti.

Një situatë e tillë është më e zakonshme në Kaliforninë e Jugut, por ndërthurja e thatësirës me erërat e forta, rezultoi fatale edhe për Veriun.

Presidenti amerikan Donald Trump miratoi gjendjen e emergjencës, duke lejuar kështu dërgimin e ndihmave federale.

Lufta e zjarrfikësve me flakët nuk pritet të zbutet gjatë ditëve në vazhdim, pasi sipas ekspertëve nuk pritet të ketë rreshje shiu. Ata parashikojnë thatësirë dhe erë edhe në vazhdim.

Ndërkaq në Kaliforninë e Jugut, një tjetër vatër zjarri dogji 24 shtëpi e godina të tjera në zonën e pasur të Anaheim Hills të kontesë Portokalli, duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.