Published On: Wed, Oct 11th, 2017

Gati skema për rritjen e pagave të mësuesve: kategoritë që përfitojnë dhe kur mbyllet proçesi

Skema për rritjen e pagave për mësuesit pret të implementohet, ndërsa rritja e premtuar prej 40 % do të shtrihet në një periudhë disa vjeçare.

Skema parashikon një kategorizim, ku rritja do të nisë në muajin prill të 2018 dhe më pas për çdo vit do të ketë një të tillë, deri në arritjen e premtimit prej 40 %.

Burimet nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se synohet që ky objektiv të realizohet brenda mandatit qeverisës, që do të thotë në fund të 4-vjeçarit mësuesit të marrin një pagë 40 % më të lartë se aktualja.

Kjo do të thotë se pagat për mësuesit e arsimit të ulët nga 38 mijë pritet të jenë 53 mijë e 200 lekë, ndërkohë për mësuesit e ciklit 9-vjeçar pagat pritet të rriten me 17 mijë lekë. Nga 43.000 që janë sot, pagat për këtë kategori mësuesish pritet të bëhen rreth 60 mijë lekë.

Shqiptarja.com shkruan se rritja më e madhe do të bëhet për mësuesit e shkollave të mesme. Sot paga e tyre mesatare është rreth 55 mijë lekë dhe rritja do të jetë 22 mijë lekë. Pas disa rritjeve që do të bëjë Ministria e Arsimit, paga për mësuesit e shkollave të mesme, pritet të shkojë rreth 77 mijë lekë.

Rritja e parë

Rritja e parë për pagat e mësuesve pritet të miratohet nga qeveria deri në muajin dhjetor 2017 dhe mbetet për tu parë se kur do ti shtrijë efektet financjare. Do të jetë Ministria e Arsimit që do bëjë propozimin për pagat e mësuesve, ndërkohë Ministria e Financave pritet të saktësojë me shifra sa do të jenë përfitimet.

Sa rriten pagat mesatare

Mësues në ciklin e ulët

Ishte: 38.000 lekë   Bëhet: 53.200 lekë

Mësues në ciklin 9-vjeçar

Ishte: 43.000 lekë    Behet: 60.000 lekë

Mësues në shkollat e mesme

Ishte: 55.000 lekë   Bëhet: 77.000 lekë