Published On: Sun, Oct 8th, 2017

Bizneset vërshojnë me ankesa kundër tatimeve, Qato: jemi në ndjekje të proçesit…

Ka vetëm pak ditë në krye të ministrisë së Mbrojtjes së Sipërmarrjes, por ankesat e biznesit i kanë mbërritur mbi tavolinë që në ditët e para.

Janë kryesisht gjoba, me të cilat bizneset janë ndëshkuar nga inspektorët e tatimeve apo të tjerë.

“I kemi trajtuar thuajse të gjitha ankesat e ardhura deri më tani. Jemi në ndjekje të një sërë ankesash të proçesuara tashmë”, deklaron ministrja Sonila Qato.

Ministria që ajo drejton është risi e kabinetit qeveritar “Rama 2”, por ajo e ka të qartë misionin e saj për të qenë avokati mbrojtës i sipërmarrjes me ankesat dhe kërkesat e tyre në qeveri.

“Roli i ministres së Shtetit do të ndikojë në përditshmërinë e biznesit në vend, së pari duke përmirësuar klimën e të bërit biznes, duke sjellë politika të reja të lehtësimit të procedurave administrative me të cilat përballet biznesi në zyrat administrative, nëpërmjet propozimeve që ne do të drejtojmë në qeveri apo ministrive të linjës për t’u marrë në konsideratë në raport me këto lehtësime”, deklaron ministrja për TCH, duke shtuar do të shqyrtojmë çdo ankesë në kohë reale.

Në vijim, Qato sqaron se qëllimi i saj është të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me çdo sipërmarrës, që ka një shqetësim në dyert e administratës shtetërore.

“Hapja e një dritarje të dedikuar biznesit, “Biznesi Im”, një një mënyrë tjetër komunikimi e drejtpërdrejtë me çdo sipërmarrës vendas dhe të huaj që ka shqetësime konkrete, qoftë dhe ato më të voglat, që e shqetësojnë në përditshmërinë e tij dhe në mbarëvajtje”, shton më tej Sonila Qato.