Published On: Mon, Oct 2nd, 2017

Kreditë e këqija, bankat fshijnë nga bilancet 316 milionë euro

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë përfshire në një proçes intensiv të fshirjes së kredive të këqija, pasi Banka e Shqipërisë nxori një rregullore që i detyronte ato të mos mbanin më në bilance brenda një periudhe trevjeçare nga krijimi i tyre.

Që nga momenti që ka filluar ky proçes, në janar të vitit 2015 e deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2017, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre 43 miliardë lekë ose 316 milionë euro.

Vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2017, nga bilancet e bankave janë fshirë rreth 4 miliardë lekë kredi të humbura, kryesisht të mbajtura nga bizneset në valutë, ndërsa gjatë periudhës korrik 2016 – qershor 2017, janë fshirë rreth 11 miliardë lekë.

Kredia e ristrukturuar gjatë kësaj periudhe ishte rreth 6.2 miliardë lekë. Nga kjo vlerë, 1.7 miliardë lekë ishin kredi të klasifikuara si “me probleme” dhe pjesa tjetër ishin “standarde” dhe “në ndjekje”. Në krahasim me një vit më parë, stoku i kredive me probleme është ngushtuar me 22% (ose me 26.2 miliardë lekë).

Banka e Shqipërisë sqaron se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së atyre të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave, raporton Monitor.

Në fund të periudhës, raporti i kredive me probleme (RKP) shënoi 15.6%, duke qenë rreth 2.7 pikë përqindje më i ulët se ai i muajit dhjetor 2016, dhe 4.4 pikë përqindje më i ulët nga niveli i një viti më parë. Brenda strukturës së kredive me probleme, si rezultat i shlyerjeve dhe ristrukturimeve, kreditë e kategorive “nënstandard” dhe “të dyshimta” janë ngushtuar me 15.6% dhe 32.8%.

Kredia e klasifikuar “e humbur”, e cila zë peshën kryesore ose rreth 60% të kredive me probleme është ngushtuar me 9.3% dhe rënia ka ardhur kryesisht si pasojë e largimit të tyre nga bilanci.

Ndërsa kreditë me probleme në grupin e bankave të mëdha u ngushtuan me 17.2%, ndërsa RKP ra me 2.8 pikë përqindje, në nivelin 14.9%. Bankat e mëdha kanë nivelin më të ulët të raportit të kredive me probleme, ndërsa bankat e vogla kanë nivelin më të lartë të RKP-së prej rreth 24.6%.

Banka e Shqipërisë sqaron se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi.