Published On: Mon, Sep 18th, 2017

Me cilën dorë shkruani, ja si ju ndryshojnë mendimet

Edhe pse mendoni që vendimet i bëni në bazë të moralit dhe logjikës, në fakt dora dominuese është përgjegjëse në masë të madhe, pohojnë ekspertët nga Shkolla për hulumtime shoqërore në New York, shkruan Daily Mail.

Njerëzit preferojnë gjërat që ndodhen në anën, në të cilën është dora e tyre dominuese, kështu që djathtakët gjërat nga ana e djathtë i lidhin me të “mirat”, ndërsa të majtën me “të këqijat”.

“Të gjithë pëlqejnë gjëra që i vënë re më lehtë dhe me të cilat përballen më lehtë. Ndërveprimi i djathtakëve është më i mirë me gjërat në anën e djathtë, për këtë arsye ata, “të djathtën” e lidhin me të mirën, ndërsa “të majtën” me të keqen”, pohon autori i studimit, Daniel Casasanto.

Madje ai thotë se nëse “ndryshoni” dorën me të cilën shkruani, do të ndryshoni mendje.

Më shumë se 90 për qind e njerëzve shkruajnë me dorën e djathtë, ata të cilët dëshirojnë të tërheqin klientë të rinj duhet që produktet e veta t’i reklamojnë në anën e djathtë të gazetave ose ekranit të kompjuterit, shpjegon Casasanto.