Published On: Wed, Sep 13th, 2017

Dritan Demiraj: kanabisi është magazinuar jo pa dijeni e policisë, koha për të goditur drejtuesit e rrjeteve…

Qeveria “Rama2”zyrtarisht ka marrë të gjitha funksionet pas betimit në Presidencë. Madje, kryeministri nuk ka humbur kohë dhe pak minuta pas ceremonisë ka nisur një mbledhje zyrtare. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, që për 3 muaj drejtoi një nga institucionet më të rëndësishme në vend, thotë se gjatë ushtrimit të detyrës nuk është ndjerë komod, pasi i ka munguar bashkëpunimi.

“Nuk është se jam ndjerë shumë komod, nuk kemi pasur bashkëpunim të sinqertë me strukturat qofshin ato vartëse, qofshin ato eprore pra edhe në Kryeministri. Por, unë falënderoj policinë, nivelet e ulëta deri në nivelet më të larta për punën, për përpjekjet. Policia ka brenda saj persona shumë të ndershëm, të përgjegjshëm për punën që kryejnë por sigurisht policia ka persona të cilët duhen larguar nga detyra”, shprehet Demiraj për BË.

Dy ishin misionet kryesore të ministrit të Brendshëm në këtë periudhë, garantimi i një proçesi zgjedhor të lirë dhe lufta kundër kanabisit.

Edhe pse beteja e parë u humb, në të dytën, rezultati është më i mirë se vitet e shkuara. Ministri teknik pohon se kultivimi i kanabisit këtë vit ka shënuar ulje.

“Po sigurisht është i ulët, madje jo vetëm është i ulët por edhe gjatë këtyre muajve të fundit ka pasur disa goditje, operacione të cilat në një pjesë të madhe të tyre kam qenë edhe unë prezent, jo në rolin operacional por si ministër”, thotë ai.

Demiraj pohon se prodhimet e vjetshme që janë në sasi shumë të mëdha, të fshehura, sigurisht jo edhe pa dijeninë e policisë, duhet intensifikuar puna për goditjen e tyre edhe për kapjen e personave.

“Policia kap vetëm persona të nivelit të ulët. Ka ardhur koha që të çohen para drejtësisë persona të cilët janë kryesorë në këtë trafik”, theksoi Demiraj.