Published On: Wed, Sep 13th, 2017

Qeveria Rama betohet para Presidentit, Meta: të përshpejtohet reforma në drejtësi, bashkëpunim pozitë-opozitë

Qeveria “Rama2” është betuar para Presidentit të Republikës, duke përmbyllur në këtë mënyrë proçedurën ligjore. Tashmë ajo nis zyrtarisht detyrën. Qeveria u miratua me 78 vota pro në Kuvend, ndërsa kundër saj votuan 51 deputetë.

Pas betimit të kryeministrit dhe ministrave, presidenti Ilir Meta i uroi suksese qeverisë së re në përballimin e sfidave që kemi përpara.

Meta vuri theksin në përshpejtimin e reformës në drejtësi, të cilën e konsideroi si mjaft të rëndësishme jo vetëm në kuadër të zbatimit dhe shtetit ligjor, por edhe përmirësimit të klimës për investimet e huaja dhe integrimin e vendit në BE.

Presidenti përshëndeti shpalljen e 2018-ës si vitin e Skënderbeut, duke shtuar se ajo që ne shqiptarët kemi më shumë nevojë është që të jemi të bashkuar dhe bashkëpunues.

Në këtë kuadër, Meta ftoi opozitën dhe mazhorancën që të bashkëpunojnë për realizimin e reformave në shërbim të qytetarëve.

“Si president i Republikës, dua të theksoj rëndësinë e jashtëzakonshme për përshpejtimin e reformës madhore në drejtësi, në mënyrë që të krijohet sa më shpejt institucionet e reja në drejtësi, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Integrimi evropian është aspiratë kombëtare, ndaj besoj që mazhoranca dhe opozita do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e këtij objektivi të përbashkët madhor dhe për reformat kyçe me qëllim hapjen sa më të shpejtë të negociatave”, tha Meta.