Published On: Wed, Sep 6th, 2017

A mund të krijohet alergjia ndaj ushqimit në cilëndo moshë?

Çdo herë e më shumë shtrohet pyetja nëse të rriturit mund të krijojnë alergji ndaj ushqimit.

Një studim amerikan tregon se një gjë e tillë është e mundshme. Sipas këtij studimi, mbi 52 për qind e të anketuarve kanë krijuar një ose më shumë alergji ndaj ushqimit pas moshës 18-vjeçare.

Në këtë studim, në të cilin morën pjesë 40.447 banorë të SHBA-ve, është zbuluar se alergjia ndaj ushqimeve të detit është më e shpeshtë në mesin e të rriturve, pasuar nga alergjia ndaj kikirikëve dhe arrave.

Alergjia ndaj kikirikëve më shpesh krijohet gjatë fëmijërisë dhe tejkalohet më vështirë se sa në rastin e alergjive të tjera.

Është dëshmuar se fëmijët krijojnë alergji ndaj qumështit, vezëve, sojës, kikirikëve, frutave të detit, arrave dhe grurit.

Shumica e reaksioneve te të rriturit, po ashtu, ka të bëjë me këto ushqime, thonë ekspertët, derisa alergjia ndaj ushqimeve të detit është më e shpeshtë te të rriturit sesa te fëmijët, pasi që ajo paraqitet më vonë gjatë jetës.

Një ndër arsyet e krijimit të alergjisë në ushqim është sindroma e alergjisë orale, e cila paraqitet te të rriturit që kanë alergji sezonale.

Mjekët sugjerojnë se trupi në këtë rast reagon sikur të “jetë i mashtruar”. Ata thonë se disa të rritur janë alergjikë ndaj polenit. Simptoma kryesore është ndjenja e kruajtjes së fytit ose gojës.

Po ashtu, shtatzënia mund të jetë faktor i alergjive të reja, gjë e cila çon deri te hipoteza se duhet menduar për lidhjen me hormonet dhe ndryshimet hormonale.

Disa pacientë hetojnë praninë e alergjive të reja pas infeksioneve virusale. Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë i shkakton reaksionet e reja ndaj ushqimit, të cilin ata e kanë konsumuar me dekada, pa kurrfarë problemi.

Reaksioni alergjik nuk është i njëjtë me mos tolerancën ndaj ushqimit. Reaksioni alergjik është karakteristik për nga ana e disa simptomave të caktuara, si: kruajtja, ënjtja, urtikaria (sëmundje e lëkurës), problemet me frymëmarrje ose vjellje, në afat brenda dy orësh pas marrjes së ushqimeve të caktuara.

Për reaksione më të rënda alergjike duhet marrë injeksione, përkatësisht personi duhet të paraqitet sa më parë te mjeku. Por, nëse reaksioni paraqitet një herë, kjo nuk do të thotë se duhet ta braktisni përgjithmonë ushqimin në fjalë, rekomandojnë mjekët.